Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile sa i përket motit të keq që ka përfshire vendi.
Ai tha se pavarësisht vizitave të tij jashtë vendit, është informuar kohë pas kohe sa i përket situatës me shirat.
Në transmetimin LIVE, Rama u shpreh më herët se mbledhja u thirr për të raportuar rreth masave të marra si dhe pritshmëritë metereologjike në vijim.
“Menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë optimal, komiteti që menaxhon kaskadën është mbledhur thuajse përditë dhe kjo është arsyeja pse kemi një situatë të kontrolluar atje,” – shtoi më tej Braçe duke shtuar se asnjë agjencie shtetërore nuk i ka munguar mbështetja financiare.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi gjendjen e shkarkimeve nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit si “të moderuara” dhe që nuk rrezikojnë zonat e ulëta të Shkodrës. Peleshi tha se parashikimet nga sinoptikanët e ushtrisë raportojnë për ulje të intensitetit të reshjeve në ditët në vijim.
Për menaxhimin e kaskadës së Drinit dhe informimin e qytetarëve dha vlerësime edhe Kryeministri Edi Rama. Ky kujtoi periudha të rreth dhjetë viteve më parë kur keqmenaxhimi, sipas tij, i kaskadës pati sjellë përmbytje të mëdha.
“Asnjë rajon nuk ka pasur nën 100 milimetra shi, dhe sot është dhënë efekti, veçanërisht në zona të goditura nga reshjet e shumta, por pavarësisht këtij fakti, puna e kryer në periudhën e verës me pastrimin e kanaleve kulluese ka dhënë rezultat,” – u shpreh Braçe duke e konsideruar efektin e shirave në tre ditët e fundit të minimizuar.
Ministri Peleshi tha se kërcënimi kryesor për qarkun e Fierit dhe Vlorës është dalja e mundshme nga shtrati e lumit Vjosa, mirëpo ai shtoi se pritshmëritë janë që prurjet të jenë në ulje në orët në vazhdim.
“Kuota aktuale në hidrometrin e Memaliajt për lumin Vjosa është në 5.4 metra, nga 6.5 që është kuota e alarmit,” – informoi Peleshi.
Ndërkohë drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes civile Haki Çako gjatë raportimit të tij theksoi se fatmirëisht deri më tani ka pasur vetëm zona bujqësore të përmbytura dhe asnjë zonë të banuar nën rrezik.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Milva Ekonomi tha se autoritetet kanë qenë njoftuar disa ditë më parë dhe hidrovoret kanë funksionuar pa pushim falë furnizimit të rregullt me energji elektrike.
“Në pjesën veriore nuk kemi vështirësi me kuotat e hidrovoreve, në 7 hidrovore të mëdha në jug gjendja është nën rrezik ndërsa në 4 hidrovore të vogla është në nivelet maksimale, sidoqoftë ajo është nën vëmendjen e autoriteteve,” – tha Ekonomi duke vlerësuar organizimin kryesisht nga zëvendëskryeministri Braçe.
Mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile u thirr pak pasi Presidenti Ilir Meta ushtroi trysni me thirrje publike për reagim nga institucionet qeveritare.