Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin parlamentar para seancës së Kuvendit nën drejtimin e kryetarit Enkelejd Alibeaj.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së.
Pas mbledhjes, Alibeaj u shpreh se “e rëndësishme është të gjejmë spiralen e bashkimit dhe spiralja e bashkimit kërkon pikërisht këtë gjë, palët minimalisht të fillojnë të marrin frymë. Këto 6 muaj është zhvilluar një luftë me linçime, një gjuhë e dhunshme e cila ka lënë gjurmë tek ata. Është detyrimi ynë që të japim sinjale, por sinjalet nuk jepen duke pushtuar selinë. Sinjalet nuk jepen duke ardhur në mënyrë të dhunshme në grupin parlamentar si Berisha bënë, që nuk është pjesë e grupit”.
Pyetjes së gazetarëve se ka një vendim gjykate për Kuvendin e 11 dhjetorit, Alibeaj tha se “ka një vendim të parlamenti që ka konstituuar se cili është grupi parlamentar i PD-së dhe të gjithë e dinë se Berisha nuk është pjesë”.
“E për këtë arsye për të gjetur gjuhën e përbashkët ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit duhen bërë. E para, ndërprerja e gjuhën linçuese. E dyta proceset paralele që zhvillohen me idenë për të thelluar ndasin nuk janë të shëndetshme dhe nuk japin sinjale të bashkimit. Kërkesa jonë e përsëritur është të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto procese të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen dhe ky është hapi i parë drejt bashkimit. Edhe një gjë e rëndësishme për bashkim është ashtu si Basha ndërmori pasoja me dorëheqjen e njëjta gjë duhet të bëhet edhe nga Berisha”, theksoi ai.
Nga ana e tij, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se vendimi i përjashtimit nga grupi është nul.
Pyetjes a është i gjithë grupi parlamentar me ju, Berisha u shpreh se vendimi që pretendon Alibeaj është nul dhe nuk ekziston. Ky është qëndrimi i bazuar në të gjitha ligjet e vendit dhe ligjet e PD-së.
Në lidhje me kërkesën e Alibeajt për të bërë një hap pas në emër të bashkimit, Berisha u shpreh se të krahasosh fituesin me humbësin, besoj se është një gabim i madh logjik.
Berisha shtoi se “grupi i PD-së do të mblidhet, është organ legjislativ i PD-së i cili do të bëjë debate për gjithçka. Mendoj se është një rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet i cili e bën edhe më demokratike PD”.
Në lidhje me pyetjen se Alibeaj shprehet se me një person “non grata” nuk bashkohet partia, Berisha tha se “cilido që mendon bënë zgjidhjen e tij, por demokratët kanë folur për këtë më 11 dhjetor, më 18 dhjetor dhe më 6 mars”.
“Kombinacionet Basha-Rama marrin fund. Ato janë kombinacione antiligjore. Vendimi për përjashtimin nga grupi ka qenë nul. E thashë në mbledhje, se para këtij vendimi unë zgjodha anëtarësinë e PD-së. Anëtarësia e partisë e gjykojë dhe i dha Bashës shkarkimin e tij dhe sot nuk është më këtu, dha dorëheqjen”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha u përjashtua nga grupi nga ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha me 9 shtator pasi ai u shpall “non grata” nga SHBA.
Kjo është mbledhja e parë që po zhvillohet me gjithë grupin parlamentar të PD-së që nga përjashtimi nga grupi i Berishës, po ashtu është mbledhja e parë pas vendimit të gjykatës për t’u dhënë drejtimin e PD-së grupit të Rithemelimit, me miratimin e statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit, i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha./ata