Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, tha se ka vendosur të shpallë emergjencën në furnizimin me energji elektrike, për shkakt të rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiare qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative”.
Me këtë vendim tha kreu i qeverisë, i hapet rrugë ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë që do të bëhet publik nesër.
Teksa e krahasoi situatën të ngjashme me krizën e pandemisë, Rama tha se plani i masave do të synojë të mbrojë konsumatorët me një rend prioritar, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë dhe duke shkuar lart përmes biznesit të vogël e më tej atij të madh.
Natyrisht që i kemi përllogaritur të gjitha. Nesër do të publikojmë për të gjithë qytetarët planin e posaçëm. Ndërkohë nuk mundet veçse t’u referohemi analizave të ekspertëve dhe njëkohësisht edhe analizave që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme. Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në kuptimin që të gjithë janë të afektuar. Natyrisht që ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë disa karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim se si duhet ta përballin këtë situatë. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë që dhe pas kapërcimit të kulmit çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin para krizës. Ajo që ne na takon, mbetet që të mbrojmë konsumatorët tanë. Sigurisht me një rend prioritetesh, nga poshtë lartë, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë dhe pastaj duke shkruar lart përmes biznesit të vogël e më tutje. Rendi i prioriteteve është nga më të dobëtit tek më të fortit, jo e kundërta.
Sipas kryeministrit, ekspertët kanë parashikuar se kriza do të vijojë deri në mesin e vitit të ardhshëm kur pritet të arrijë pikun, por edhe pas kapërcimit të kulmit çmimet nuk do të kthehen atje ku ishin përpara krizës.
“Ne na takon të mbrojmë konsumatorët me një rend prioritar, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë dhe duke shkuar lart përmes biznesit të vogël dhe atij që ka më shumë të ardhura, nga më të dobëtit tek më të fortët”, tha kreu i qeverisë.
Rama i cilësoi 7 propozimet e Partisë Demokratike për përballimin e situatës së krizës së energjisë, si propozime të kohës së Sudes dhe firmave piramidale.
“Në aspektin e instrumenteve të mbrojtjes jemi të qartë ç’do bëjmë, ndërsa këto kërkesa me bërjen rrafsh të arkës së shtetit se shihemi nesër, janë propozime të kohës së Sudes. Por ne nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vebiu”, tha Rama.
Kriza energjetike me të cilën po përballimi, nuk do të thotë se do të kalojmë një dimër pa drita. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, teksa tha se kjo do të ishte zgjidhja më e kollajtë, por se qëllimi i qeverisë nuk është ky, por që të mbrojë konsumatorët nga fortuna.
“Nëse do ishte dimër pa drita do ju thonim bëhuni gati. Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga fortuna. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare po nuk jemi këtu për t’i bërë kollaj gjërat. Sot Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerje të energjisë. Italia e ka rritur 40% çmimin në faturë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri, në Tiranë të hapen pika për të marrë bukë falas, ka ndodhur në Milano, radhë për të marrë bukë falas. Një pjesë e madhe, ata që qahen më shumë, janë ata që kanë më shumë të ardhura se çfarë tregojnë. Mos ta harrojmë se nëse i besojmë vetëm të ardhurave të deklaruara, shumë gjëra nuk do shkonin siç shkojnë. Shqipëria ka numrin më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla nëpër banka. Kjo tregon që gjendja është e qëndrueshme”, tha Rama.