Në një prononcim për medie, Rama informoi mbi reformën e re të pagave, ndërsa shtoi se “ky është rezultat i përgjithshëm i përpjekjeve, reformave, punëve të bëra”.
“Kjo për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë se sa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “është shumë e rëndësishme për ne të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe se realisht kemi hyrë në një fazë të re zhvillimi, pavarësisht peripecive dhe goditjeve të jashtëzakonshme në vazhdën e disa krizave rresht, ia kemi dalë të rezistojmë dhe adresojmë plagë e probleme të rënda”.
Qeveria ka gati projektligjin për rritjen e pagave të sektorit publik dhe pritet që të kalojë në Kuvend për miratim. Kreu i qeverisë Edi Rama tha se brenda harkut kohor të një viti, paga mesatare në vend do të shkojë 900 euro. Reforma e rritjes së pagave, do të prekë edhe sektorë të tjerë, duke nisur nga pedagogët e mësuesit, tek infermierët, zjarrfikësit, si edhe policinë e Shtetit, Burgjeve dhe punonjësit e Gardës. Kryeministri Rama theksoi se paga mesatare nga 563 euro që është aktualisht do të shkojë në 900 euro.
“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave. Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardh se në harkun e një viti paga mesatare do shkojë nga 563 euro në 900 euro”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot vendimet e qeverisë për rritjen e pagave.
‘Nuk dua të humbas vëmendjen në shumë shifra. Jam këtu së bashku me ministren e Financave. Dua ta falënderoj ekipin e sa për punën e palodhur që ka bërë. Kemi pasur diskutime të pafundme, kemi pasur debate të pafundme, kemi konfrontuar volume të pafundme shifrash, opsionesh, skemash dhe në fund kemi rënë të gjithë dakord që detyra jonë është tu japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lek apo tu themi mësuesve në arsimin e mesëm që paga e tyre do shkojë mbi 1 milionë lek, pra mbi 100 mijë lek. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Të gjitha këto janë shifra bazë pastaj vjetërsia e punës, kohëzgjatja në detyrë domethënë dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë sesa ç’duken nga niveli bazë. Po kështu, është koha t’iu bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve të universiteteve të gjithë sistemit arsimor universitar, me 20% duke iu dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë deri në 30 % sepse ata janë autonom në administrimin e buxheteve të tyre dhe siç bëmë në fund të vitit të shkuar, do të bëjmë përsëri”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se me reformën e pagave do të rriten edhe pagat e infermierëve dhe zjarrfikësve. Rama tha se infermierët do marrin pagë bazë 87 mijë lekë, ndërsa zjarrfikësit 80 mijë lekë.
“Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermiereve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë. Kemi rritur ndjeshëm pagat për Forcat e Armatosura. Do të vazhdojmë t’i rrisim po në mënyrë të ndjeshme, kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë. Do të vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrfikësve dhe siç e pata premtuar duke qenë se zjarrfikësit janë gjithmonë e më të rëndësishëm për shoqërinë në kushtet kur zjarret janë gjithmonë e më të pranishëm, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe jo vetëm, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lek. E gjitha kjo do të bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do të jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët dhe infermieret menjëherë dhe ky hap i parë për të gjithë të tjerët do të jetë pasi parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do të jetë prillin e ardhshëm ku do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”, tha Rama.
/Argumentum.al