Në rezidencën qeveritare në malin e Dajtit kryeministri Edi Rama zhvilloi për 8 orë një mbledhje informale me anëtarët e kabinetit qeveritar.
Takimi nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit (1 shtator 2024) dhe u mbyll pas më shumë se 8 orësh në 18:30. Kreu i qeverisë mbërriti në orët e para të mëngjesit, rreth orës 08:30.
Një nga çështjet kryesore të këtij retreati ka qënë strategjia e komunikimit që mazhoranca socialiste do të ndjekë në vazhdimësi deri në zgjedhjet parlamentare të 2025, komunikimi me publikun dhe institucionet.
Të pranishëm në mbledhje veç ministrave të kabinetit qeveritar ishte dhe kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryetarët e komisioneve parlamentare, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, kryetari grupit parlamentar në PS, Niko Peleshi si dhe drejtorët e institucioneve në varësi të kryeministrit, ndërsa nuk ishin të pranishëm kryebashkiakët.
Mbledhja ishte konceptuar në 4 blloqe.
Gjatë punimeve “komunikimit” i është dedikuar një sesion i posaçëm diskutimesh që drejtohej nga Endri Fuga, ndërsa fokus të vecantë ka marrë edhe çështja e integrimit europian për të cilën ka raportuar kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Përveç këtyre dy blloqeve, mbledhja retreat ishte e ndarë edhe në dy blloqe të tjera, atë të sigurisë dhe çështjeve sociale të referuara nga ministret Balluku dhe Manastirliu.I pranishëm në këtë takim ishte edhe Fatmir Xhafaj kryetari i Komisionit të posacëm për antikorrupsionin, puna e të cilit lidhet drejtëpërdrejtë me procesin e integrimit.
Secili prej ministrave ka prezantuar objektivat e punës për sezonin e ri në dikasterin që mbulon. Po ashtu në fokus ishte edhe vendosja e objektivave për muajt në vazhdim.
Ndryshe nga herët e tjera, kur Rama ka zhvilluar mbledhje të tilla me kabinetin në prag të nisjes së sezonit politik, këtë herë kryeministri nuk preferoi të prononcohej për gazetarët të cilët qëndruan jashtë perimetrit të rezidencës qeveritare ku u zhvillua takimi për më shumë se 8 orë. Gjithashtu edhe ministrat u larguan së bashku me Ramën në mbarim të mbledhjes.
Takimi në Dajt shërbeu edhe për analizën e progresit dhe përgatitjet për sesionin e ri parlamentar.
Burime pranë mazhorancës e konsiderojnë mbledhjen e kësaj të diele një hap i rëndësishëm për të adresuar strategjitë dhe prioritetet e ardhshme. Kjo do të jetë një mundësi për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e kaluara, por edhe për të diskutuar strategjitë për vitin zgjedhor që po afron.
Me rëndësi në këtë mbledhje ishte edhe plani për vitin zgjedhor, pasi ambicia e kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste është fitimi i mandatit të katërt.
Ky takim me qeverinë, i paraprin Asamblesë së Partisë Socialiste, që do të mbahet të dielën e ardhshme, më 8 shtator në qytetin e Durrësit ku pritet të zgjidhet Kryesia e re e PS.
Përveç zgjedhjes së Kryesisë, kryeministri Rama pritet të konfigurojë edhe skuadrën në terren për zgjedhjet e 2025, pra drejtuesit politikë në qarqe. Ashtu si në zgjedhje të kaluara që ka pasur lëvizje të drejtuesve politikë të PS në qarqe të vendit, edhe kësaj here gjatë punimeve të Asamblesë pritet që Rama të bëjë publike lëvizjet e reja. Deri më tani ka patur disa spekulime lidhur me ndryshimet e reja, por 8 shtatori do të jetë ajo që do zbulojë drejtuesit e rinj në qarqe të ndryshme të vendit.