Një mbrëmje homazh u mbajt për nder të kujtimit të diplomatit shqiptar Hajdar Muneka, nga familjarë, miq, ambasadorë dhe të ftuar ku gjithashtu u promovuan dy librat e tij “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën” dhe “Guanxi, Leva magjike që lëvizi Kinën”, libër i cili mundi të botohej vetëm pas ndarjes nga jeta të tij.
Me organizim të veçantë nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, në mjediset e RadioTelevzionit Shqiptarë u ndezën edhe njëherë prozhektoret për Hajdar Muneken, ish-gazetarin e saj që i dha kaq shumë medias, diplomacisë dhe vetë Shqipërisë.
Në të vërtetë kjo mbrëmje e dedikuar Ish- Ambasadorit Muneka, ishte një amanet i plotësuar nga familja dhe miqtë e tij, kështu thotë miku dhe kolegu i tij Gëzim Podgorica ndërsa tregonte për bisedën e fundit me Hajdar Muneken.
Hajdar Muneka ishte njeri i rrallë i cili la gjurmë miresie por dhe me profesionalzimin e tij tek secili prej atyre që e njohën.
Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Z. Zhou Ding ka vlerësuar punën e diplomatit Muneka:
“Ambasadori Muneka ishte një diplomat i shquar dhe një ekspert i marrëdhënieve Kinë-Shqipëri. Një mik i popullit kinez dhe një mik i dashur për mua,” tha ai.

“Ambasadori Muneka ishte një diplomat i shquar, një sinolog i aftë dhe ekspert i marrëdhënieve Kino-Shqiptare. Ai ishte gjithashtu një mik i ngushtë i popullit kinez dhe një mik i dashur për mua. Në vitet 70 të shkullit te kalluar, ambasadori Muneka shkoi në Kinë për të studiuar dhe që atëherë krijoi një lidhje të ngushtë me Kinën. Jam i nderuar që ai u diplomua në të njëjtin universitet me mua, në Universitetin e Gjuhëve të Pekinit. Përpara ndarjes së tij nga jeta, ai fliste shpesh me mua për ndjenjën e tij te thelle për universitetin, gjë që ma shtoi respektin për të.
Gjatë kohës së tij në Kinë si biznesmen dhe ambasador, ai bëri miq kinezë nga të gjitha sferat e jetës dhe udhëtoi në të gjithë vendin, duke fituar kështu një kuptim dhe dashuri të thellë për Kinën. Ai ka botuar librat në të cilat kujton hollësisht përvoja të tij të studimit, punës dhe jetës në Kinë dhe na prezanton marrëdhëniet kino-shqiptare dhe kulturën kineze. Ai shkroi në librin e tij,“Problemi më i madh, që ka bota aktualisht me Kinën, qëndron pikërisht te mungesa e njohjes. Pasi nuk mjafton vetëm të trokasësh në derën kineze, por duhet të dish ta hapësh atë, të jetosh me ata njerëz, me hallet dhe qejfet e tyre. Unë e kam pasur atë fat.”
Ambasadori Muneka kishte një vullnet të fortë dhe një personalitet optimist. Në dy vitet e fundit të jetës së tij, ai luftoi me guxim dhe këmbëngulje kundër sëmundjes. Gjatë sëmundjes së tij, ne ende shkëmbenim mendime mbi situatën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet Kino-Shqiptare përmes WhatsApp-it. Jam prekur nga sinqeriteti dhe kam mësuar nga mençuria dhe largpamësia e tij. Unë dhe kolegët e mi u tronditëm thellësisht kur mësuam për ndarjen nga jeta te ambasadorit Muneka majin e kaluar. Njeriu largohet nga kjo botë, libri mbetet gjallë. Kur i rilexoj të dy librat e ambasadorit Muneka, gjithmonë më merr malli.
Nderojmë bashkërisht kontributin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Muneka në miqësisë kino-shqiptare. Shpresoj gjithashtu që më shumë miq shqiptarë si ambasadori Muneka, të cilët e duan atdheun e tyre dhe e njohin Kinën dhe botën, për të zhvilluar trashëgiminë e tij, si dhe për të injektuar forcën e re në miqësinë kino-shqiptare. Ambasadori Muneka do mbetet gjithmonë miku im dhe i popullit kinez. Do të na mungojë përgjithmonë“, u shpreh Ambasadori Zhou Ding gjatë fjales që mbajti për mikun dhe homologun e tij z. Hajdar Muneka

E pranishme ishte edhe ish-ministrja e jashtme dhe ish-deputetja Arta Dade.
“Hajdar Munekën e shtynte vullneti për ta bërë Shqipërinë të njohur e të pranishme në këto vende.
Sigurisht ai e dinte që përfaqësonte një vend të vogël, por kjo nuk e ka kompleksuar. Ishte serioz dhe përfaqësoi deri në nivelet më të larta vendin dhe shtetin e tij,” tha ajo.
Bashkeshortja e tij, znj. Donika Muneka, bashkëudhëtare e jetës së Hajdar Munekës tregon vullnetin e bashkëshortit të saj për të lënë gjumë me shkrimet e tij pavarësisht sëmundjes ndaj së cilës nuk mundi të mbijetojë.
“Unë dhe familja do ta kemi gjithmonë pranë jo vetëm në kujtimet tona më të shtrenjta, por dhe përmes shkrimeve të tij e veçanërisht këtyre dy librave që po i promovojmë sot me ju miq të Hajdarit,” tha ajo.

Ndonëse u përpoqën t’ia mbyllnin karrieren e tij si diplomat, në rrefimin e Hajdarit-autor nuk vihet re asnjë shenjë pezmatimi. Ai përpiqet ta shohë me sy kritik realitetin dhe në vend të pesimizmit, spikat gjuha e mprehtë, ironia e sarkazmi. Pikërisht në atë kohë dhe situatë të turbullt, në ato momente të vështira për të dhe familjen, Hajdari nuk mendon asnjëherë të rrijë duarkryq.”Në kushte e rrethana krejt të imponuara, u detyrova ta zgjidhja atë vend “për të hyrë në det”. E dija se nuk isha notar i zoti, i dija edhe të papriturat e detit. Prandaj zgjodha detin e Kinës. Pasi e kisha të sigurt se aty nuk do mbytesha.” Kështu vendosi të çante në Detin e Kinës, metafore e përdorur si titull kapitulli, por që tregon realitetin e kohës dhe njëkohësisht guximin e një diplomati për të eksploruar një terren të panjohur.
Një rrefim emocionues në këtë mbrëmje homazh ishte ajo e mikut dhe kolegut të tij, gazetarit të njohur, Grigor Banushi:
Më ke treguar për Kinën që ditët e para kur u njohëm bashkë në zyrën tonë në Radio Tirana. Erdhe nga Pekini, mik i shtrenjtë, ku sapo kishe mbaruar studimet në kryeqytetin e Perandorisë së Mesit, ashtu siç shpesh citoje kinezët ta quanin vendin e tyre.
Djalë i ri, pothuajse i vogël le vendlindjen e largët dhe erdhe në Tiranë në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Pastaj fluturove në Pekin, i cili me kalimin e kohës u bë si vendlindja jote e dytë, sepse e njohe aq mirë, hyre brenda labirinteve të tij, mrekullive dhe shpirtit të qytetit të madh.
Erdhe i ri në Radio-Tirana. Sytë e tu të kaltër ishin kureshtarë për të mësuar e për të përvetësuar mjeshtërinë e gazetarit.
E përvetësove, u bëre gazetar e publicist, diplomat i shquar, ambasador në Kinë e Malajzi, ku e përfaqësove denjësisht vendin tënd.
Drita jote mbeti, atë e ka Donika që të qendroi natë e ditë tek koka, e mban fort Dritani që emrin e ka dritë, Linda që simbolizon ripërtëritjen e jetës, e kanë mbesat e tua të vogla që e panë gjyshin e dashur dhe janë pikëprisht ato Yuki Rei dhe Avery Dari që do të mbartin dritën e përjetësisë, ashtu siç e le ti kushtimin në librin e fundit që do të dalë së shpejti në dritë.
I dashur Hajdar, ndjej dhimbje të madhe për ty, por jam krenar. Që në fillim spikati talenti yt si gazetar e publicist i cili u finalizua me librin më të bukur shkruar për Kinën, “Dritëhjijet e e një miqësie që tronditi botën” dhe të librit tjetër “Leva që lëvizi Kinën.
Lamtumirë mik i dashur. Të qoftë dheu i lehtë. U prehsh në paqe!

Hajdar Muneka kontribuoi për vite me radhë në shërbimin diplomatik shqiptar .Ai ishte ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kinë dhe Malajzi, dhe jo resident në Singapor, Korenë e Jugut Bangladesh, Japoni, Australi, Zelandën e re e të tjerë.
Hajdar Muneka do të mbahet mend edhe i si një gazetar i njohur i problemeve ndërkombëtare.
Ai për shumë vite ka qenë gazetar në “Radio Tirana”, në seksionin e Radios së Jashtme, duke dhënë një kontribut të spikatur.
Hajdar Muneka ishte edhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë, ku kontribuoi me eksperiencën tij te gjatë në fushën e diplomacisë.
/Argumentum.al