Është mbyllur edhe sot protesta e opozitës së bashkuar. Në mungesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha, nënkryetari i kësaj force politike, Edi Paloka mbylli në këtë mënyrë protestën e opozitës me një fjalim përmbyllës.
“Rama ik! Dua t’ju përshëndes edhe njëhërë për forcën dhe rezistencën tuaj në emër të kryetarit të PD, z. Lulzim Basha.
Sot protestën tonë e drejtuan jo më kot studentët. Ata ishin zemra e protestës, sepse Shqipëria që ne duam, jo ajo që do Edi Rama, është Shqipëria e studentëve, ajo që ne duam për fëmijët tanë.
Pak ditë më parë, DASH e cilësoi Shqipërinë e Edvin Ramës si qëndrën e krimit të organizuar në Europë, kanabisit, drogave të forta, ku krimi i organizuar mblidhet për t’u shpërndarë më pas jo në Evropë, por deri në SHBA siç thotë raporti. Është raporti që dikur ia kanë bërë vetëm Noriegës.
Sigurisht, ne që jetojmë këtu e dimë shumë mirë cili është Edi Rama, ndaj jemi në shesh derisa ai të shporret. Jemi të bindur se dita kur ai kryeministër që nuk përfaqëson asnjë shqiptarë të ndershëm, të largohet, është e afërt.
Shumë shpejt do ta shohim atë trimin, atë cinikun, që ngre administratën për t’u tallur me hallet e shqiptarëve. Ka dalë e numëron sa ishte opozita sot e sa do mbledhë sot. Por ai nuk kupton e ne do të jemi në shesh mbase një ditë më pak, një ditë më tepër, por urrejtja e grumbulluar sot në shpirtin e shqiptarëvë është aty dhe një ditë do ta mbysë.
Mund të vazhdojë të mbledhë surrogato në parlament, që ai i quan deputetë, po ajo vetëm skena e bashkëpunimit të fundit me oligarkë e bazhibozukë që hiqen aty si deputetë të opozitës.
Ne, demokratët, LSI, republikanë, të gjitha partitë e opozitës do të jemi bashkë që kjo qeveri të marrë atë që meriton sepse vendi i tyre nuk është në parlament, është në burg”,u shpreh nënkryetari i PD-së Edi Paloka, nga shkallët e selisë blu.
Më herët protestuesit u zhvendosen te Piramida, ku edhe i vendosën flakën një instalacioni të quajtur nga ata “Qeveri e krimit”. Instalacioni në formë piramide mban në majë të saj emrin e kryeministrit Edi Rama, i cili u transportua nga Kuvendi drejt Piramidës, ku edhe e dogjën.