Pas rreth tri orëve protestë, kreu i PD-së, Lulzim Basha mbajti një fjalim pranë selisë së partisë që drejton duke theksuar se pas qeverisë dhe parlamentit, opozita nuk njeh më as policinë. Duke e konsideruar Maduron e Ballkanit, Basha i tha kryeministrit Rama se zot i këtij vendi janë qytetarët.
“Protestues, mos ulni kokën dhe të pranoni fatin e skllavin që pasi vidhet, dhunohet. Jeni ngritur për të mos u ulur më deri në fitoren totale të lirisë dhe demokracisë mbi bandën kriminale që kanë marrë peng Shqipërinë. Si minj u mblodhën sot duke shpresuar se tinëzisht do t’ia hidhnin popullit.
Falenderoj qindra e mijëra qytetarë që brenda pak orëve u mblodhën si asnjëherë për t’i treguar Maduros së Ballkanit që ky vend ka zot dhe zoti janë qytetarët. Sot, Edi Rama përdori dhunën e vepër ndaj qytetarëve që protestonin në paqe. Sot, ne nuk kemi më Kuvend, nuk kemi më qeveri dhe për fat të keq nuk kemi as polici. Kemi një bandë hajdutësh kriminelësh dhe hajdutësh që kanë vjedhur Shqipërinë.
Sonte le t’i çojmë këtë mesazh çdo qytetari që ne nuk njohim më jo vetëm qeverinë e krimit por edhe policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri dhe do ta çlirojmë këtë vend. Çdo kush me uniformë, me syze analisti apo kostum oligarku që është pranë kësaj bande, është tradhtar i popullit të vet, është tradhtar i interesave të qytetarëve të thjeshtë dhe do të trajtohet si tradhtar i qytetarëve të thjeshtë. Të bashkuar si asnjëherë, demokratë dhe socialistë, myslimanë dhe të krishterë vazhdojmë rrugën tonë drejt demokracisë evropiane”, ishte mesazhi i tij.