Më 18 shtator do të nisë Censusi i Popullsisë dhe Banesave! Kryeministri Edi Rama ishte sot (13 shtator) i pranishëm në konferencë hapëse për Cencin dhe gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën që të kryhet sipas standardeve të BE-së.
Për kryeministrin, institucioni i INSTAT tashmë është çliruar nga politika, ndërsa theksoi se prej 4 vitesh kanë vijuar përgatitjet për kryerjen e këtij procesi. Kreu i qeverisë nënvizoi se është me rëndësi që që numri i shqiptarëve që jetojnë në vend të jetë real.
“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë dhe e i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak jeni një vend që nuk meritonin vëmendjen që pretendoni” tha Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe tek minoritetet në vend dhe tha se ndihet krenar për mënyrën sesi shteti jonë i trajton e shtoi se ligjin për minoritetet e kemi optimal dhe rrezatues. Një mesazh të fshehur e kishte edhe për Athinën zyrtare e cila akuzon qeverinë shqiptare për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Rama e bëri të qartë se leksion Shqipërisë për minoritetet nuk i jep asnjë vend.
I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori Luigi Soreca, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri. Për kryeministrin Rama prania e tij është një ogur i mirë për procesin. Vetë Soreca tha se është e rëndësishme që ky Cens të ketë informacion të besueshëm statistikisht. Sipas kreu të delegacionit të BE-së janë mobilizuar 4.8 milionë euro në grante për INSTAT për mbështetjen e këtij procesi.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.
Soreca: 4.8 milionë euro grante për INSTAT, censi të jetë i besueshëm
I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori, Luigi Soreca, ka nënvizuar këtë të mërkurë se censi i popullsisë dhe banesave, që pritet të nisë më 18 shtator, është e rëndësishme të japë informacione të besueshme.
Sipas diplomatit të Bashkimit Europian, për të mundësuar një cens sipas standardeve të familjes së madhe europiane, BE ka dhënë në formë granti për Institutin e Statistikave 4.8 milionë euro.
Në çelje të fjalës së tij, në konferencën hapëse të “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023”, Soreca tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë sa i takon anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Është një nder dhe privilegj për mua të jem sërish në Shqipëri në këtë moment kaq të veçantë për vendin, që është në procesin e anëtarësimit dhe në një moment të rëndësishëm për zgjerimin e BE. Presidentja Von Der Leyen sapo mbylli para pak minutash fjalën e saj në Parlamentin Europian për sa i përket gjendjes së BE. Ajo e bëri shumë të qartë se sa i rëndësishëm është ky moment, sesi BE nuk ka nevojë të ndryshojë traktatin me qëllim që të zgjerohet dhe tani është momenti që të merren në konsideratë dhe të shihen ato vende, zona, ku vendet kandidate janë në rrugën e anëtarësimit të plotë”, theksoi Soreca.
“Shqipëria vjen në një moment mjaft të mirë, pas një pune të mirë në procesin screening në muajt e fundit dhe është gati për takimin e rëndësishëm mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në dhjetor në Bruksel”, tha Soreca.
Ai shtoi se realizimi i censit është një angazhim shumë i rëndësishëm, pasi ndikon në politikëbërjen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në orientimin e fondeve të Bashkimit Europian në Shqipëri.
“Ky proces ka një rëndësi të madhe për të ofruar një informacion të besueshëm përmes së cilit do të hartohen politika të mbështetura në të dhëna, për të planifikuar shërbime publike dhe për shpërndarjen e fondeve të buxhetit shtetëror”, tha Soreca.
Sipas tij, “Shqipëria në rajon përgjithësisht përballet me sfida specifike demografike, prandaj është e rëndësishme të ketë informacion të besueshëm statistikisht për të bërë zgjedhje e duhura për çështjet demografike, të strehimit, çështjet sociale apo pakicave”.
“Ky cens është i rëndësishëm edhe në kontekstin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Nuk është rastësi që kapitulli që përfshin statistikat është në grupkapitujt thelbësorë. Duhet ditur sa vota anëtarësie ka një vend në BE. Po ashtu, orienton dhe identifikon nevojat e mbështetjes financiare të BE. Politikat e BE mbështeten në të dhëna të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe krahasuese”, nënvizoi diplomati evropian.
Soreca vuri në dukje edhe mbështetjen e BE për INSTAT.
“Ndërkohë që Shqipëria vjen gjithnjë e më afër anëtarësimit në BE, sot më shumë se kurrë është thelbësore që vendi të prodhojë cense që përputhen me standardet e BE. Kjo është arsyeja për se prej shumë vitesh BE ka forcuar një partneritet me INSTAT. Për këtë cens kemi mobilizuar 4.8 milionë euro në grante për INSTAT. Kemi patur mbështetje nga Suedia, Zvicra dhe nga familja e OKB, nga fondi për popullsinë. Duam të falënderojmë si BE, dhe të themi se mësimet e nxjerra nga censi i mëparshëm i vitit 2011, kanë shërbyer si mësim për INSTAT dhe të gjithë grupin, për të përfshirë analizat etnike në cens që do të nisë më 18 shtator, për të qenë në përputhje me standardet e BE. Dua t’i uroj INSTAT dhe njësive të tjera fat në muajt që vijnë”, mbylli fjalën e tij I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca.
Censi i Popullsisë, Dhuli: Të angazhuar mbi 7 mijë persona
Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli ka dhënë më shumë detaje sot sa i takon Censit të 12-të të Popullsisë dhe Banesave në vendin tonë. Ajo u shpreh se ky aktivitet statistikor është një e mirë publike që do t’u shërbejë të gjithë sektorëve.
“Ky është Censi i 12-të, ,më i fundit ishte ai i vitit 2011, e tashmë ky i vitit 2023 që ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian. Përse ka fokus një aktiviteti statistikor? Ky aktivitet me rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore, do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në ven, të ndërtesave dhe banesave dhe kjo për faktin që Censi i radhës të mos realizohet më derë më derë, por të bazohet në regjistra administrativë. Së fundi dhe më e rëndësishmja: Është një e mirë publike për të gjithë komunitetin tonë.”- tha Dhuli.
Por, çfarë do të ofrojë ky Cens? Dhuli thekson se do të grumbullohen të dhëna për numrin e saktë të popullsisë në Shqipëri, numrin e banesave, të dhëna për punësimin, strehimin etj.
“Do të ofrohen të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, ekonomike në nivelin më të detajuar gjeografik. Do të ofrojë të dhëna për të vlerësuar ndryshimet e popullsisë, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Ky aktivitet nuk mund të realizohet pa rekrutimin e një armate të madhe e cila janë baza jonë kryesore për monitorimin e këtij aktiviteti.”
Për të mbledhur këto të dhëna janë trajnuar 7500 persona, të cilët sipas Drejtoreshës së INSTAT do shkojnë derë me derë me tablet në dorë për të bërë pyetjet e përgatitura.
“Pjesë e skuadrës tonë janë 7500 persona, 5240 mijë anketues që do të trokasin derë më derë,
do të montirohet procesi i tyre, jo vetëm në terren, por edhe nga ana teknologjike. Nuk dilet në terren pa një trajnim të mirëfilltë, për 6 javë kemi trajnuar 7500 persona që të dinë të përdorin tabletin, të dinë si të komunikojnë, të dinë përmbajtjen e pyetësorit. Do të pyesim për ndërtesën, njësitë ekonomike, për individin, vizitorët dhe të larguarit. Grumbullimi do kryhet me pajisje elektronike, por siguria që ofron INSTAT është se të dhënat individuale do të mbrohen sipas legjislacionit dhe patjetër në fund do të shpërndahen në mënyrë të agreguar.”
/Argumentum.al