Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq konfirmuan të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të të zhdukurve, si dhe bashkëpunimin ekonomik.
Pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: Asociacioni i Komunave dhe zgjidhja e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
Para fillimit të bisedimeve, Hoti dhe Vuçiqi janë zotuar se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.
“Ata gjithashtu u zotuan se do t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtimin e mëtejshëm krah BE-së, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë.
Më herët Borrelli, në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje, që ai i ka quajtur “të ndjeshme”, por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare, si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Takimi i radhës mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet më 28 shtator. /REL