Grupi i parë i migrantëve po shkon sot drejt Shqipërisë për t’u përpunuar në qendrat e ngritura dhe të drejtuara nga italianët në vendin ballkanik, të cilat janë kritikuar nga grupet e të drejtave si eksternalizuese e çështjes së emigrantëve dhe krijimit të një Guantanamoje të re, por vlerësohet nga vendet e tjera të BE-së dhe Britania e Madhe si një model i mundshëm.
”Anija e Marinës italiane ‘Libra’ është nisur drejt Shqipërisë”, thanë burimet e ANSA-s për të çuar grupin e parë të migrantëve, në qendrat e ngritura në Shqipëri, për t’iu nënshtruar “procedurave të përshpejtuara kufitare”.
Personat që do të transferohen, të shpëtuar në det, janë kontrolluar në bord për të verifikuar nëse plotësojnë kërkesat e kërkuara: me origjinë nga vende të sigurta, meshkuj dhe jo të cenueshëm.
Nisma menaxhohet nga Ministria e Brendshme italiane.
Javën e kaluar janë vënë në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjadër dhe do të duhet të akomodojnë migrantët e transferuar.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi tha javën e kaluar se qendrat “janë të ngjashme me ato në Itali” dhe me regjime “të lehta paraburgimi”.
”Nuk ka tela me gjemba, ka kujdes shëndetësor”, tha ai.
Kryeministri britanik, Keir Starmer shprehu interes të veçantë për skemën dhe lëvizjet e tjera që kanë ulur migrimin në Itali këtë vit./ATA