OSBE duket se po ndjek standarde të dyfishta në qëndrimet e saj në raport me lirinë e medias në rajon. Ndërsa për Shqipërinë përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, është dakord me paketën “antishpifje” të qeverisë, në Maqedoninë e Veriut ai mbështet vetërregullimin nga media
Organizatat e medias në Maqedoninë e Veriut hartuan regjistrin e medias online, regjistër që përfshin 72 anëtarë. Përfaqësuesit e organizatave “Këshilli për Etikë në Media” dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) të cilat e kanë përpiluar atë thonë se regjistri pason debatet për nevojën e adresimit të problemit nga puna e medias online.
Organizatat vlerësojnë se vetërregullimi për nxitjen e profesionalizmit në media është një zgjidhje e fuqishme dhe se regjistri është bërë sipas kritereve të aritura midis Këshillit për Etikë dhe SHGM-së në bazë të praktikave në shoqëritë e zhvilluara demokratike dhe Këshillit të Evropës dhe se është dëgjuar po ashtu edhe komuniteti i gazetarëve, medias e biznesit në Maqedoninë e Veriut.
Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, ka shprehur mbështetjen e tij për regjistrin e vetë-rregullimit të medias online në Maqedoninë e Veriut, që u njoftua të mërkuren nga Këshilli për Etikë në Media së bashku me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Odën Ekonmike.
“Vetë-rregullimi i medias është një mekanizëm i dobishëm për promovimin e cilësisë së informimit, ruajtjen e lirisë editoriale dhe fuqizimin e bësueshmërisë së medias” është shprehur Desir.
Nisma kërkon promovimin e vetërregullimit të medias online përmes fondeve transparente, mes tjerash; zotimin e medias online për respektimin e Kodit të Gazetarëve dhe publikimin e vendimeve nga Këshilli për Etikë në Media.
“Shpresoj se kjo punë e përbashkët nga disa organizata në Maqedoninë e Veriut do të jetë e dobishme për platformat e medias online si dhe për vetë komunitetin e gjerë të medias”, thuhet në komunikatën e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir.