Agjencitë e lajmeve, anëtare të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA-SEE) u mblodhën sot në Tiranë, në konferencën e organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me synimin krijimin e urave të reja të bashkëpunimit për promovimin e turizmit në vendet e Ballkanit.
Në hapje të konferencës me temë “Media&Tourism, Ideas&Solutions”, Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi nënvizoi rëndësinë e kësaj konference, duke vënë në dukje rolin e jashtëzakonshëm të agjencive të lajmeve për promovimin e potencialeve turistike, trashëgiminë e pasur kulturore dhe të traditave mes vendeve të Ballkanit.

Krasniqi e konsideroi si fantastike iniciativën për krijimin e një platforme për rezervimin online (e-book). Ajo nënvizoi se kjo do të shërbejë si udhërrëfyes për çdo turist që viziton rajonin.
Krasniqi tha se është e rëndësishme që të orientojmë çdo turist së çfarë duhet të vizitojë, çfarë duhet të shohë dhe se ku të shkojë për të provuar ushqim tradicional në Shqipëri, Kroaci, Stamboll, Kosovë, Beograd etj.
Krasniqi tha se Shqipëria e ka në fokus turizmin, si një nga sektorët me potencialet më të mëdha dhe me më shumë të ardhura.
Në panelin e parë të konferencës me temë “Media&Tourism, Ideas&Solutions”, ishin të ftuar zv.kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi dhe Psilos Michalis, këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i agjencisë së lajmeve greke, ANA-MPA.
Anëtarët e ABNA-SEE, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, janë AGERPRES (Rumani), ANA-MPA (Greqi), AA (Turqi), ATSH, BTA (Bullgari), CNA (Qipro), FENA (BH), HINA (Kroaci), SRNA (Republika Serbska) MIA (Maqedoni), KosovaPress (Kosovë) dhe TANJUG (Serbi) ndërsa vendet me statusin e vëzhguesit janë Moldavia, Sllovenia, Armenia dhe Mali i Zi./ata