Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme SPAK Arben Kraja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano kanë dalë në një komunikim zyrtar këtë të enjte në lidhje me megaoperacionin e nisur prej mëngjesit të sotëm për arrestimin e “kokave” të grupeve kriminale, emrat e të cilëve janë zbuluar pas dëshmisë që ka dhënë Nuredin Dumani.
Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK Arben Kraja tha se BKH dhe policia kanë kryer veprime të shumta hetimore për zbulimin e autorëve të disa ngjarjeve të rënda kriminale në disa qytete të vendit. Pas hetimeve të shumta u grumbulluan prova në drejtim të shumë ngjarjeve të rënda kriminale dhe autorëve të tyre.
Kraja shtoi se këto grupe kriminale janë identifikuar në veprat penale në dëm të jetës, shëndetit dhe pasurisë.
“Në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse, etj. Si rrjedhojë e këtyre të dhënave janë tërhequr dhe studiuar dosjet penale që kanë të bëjnë me këto ngjarje penale. U tërhoqën dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr.75/2022. Pas studimit të tyre, mekanizimit të kryerjes së veprave penale, motivit apo konfliktit, veprimeve hetimore në secilën prej tyre, të analizuara këto në raport me të dhënat e reja të disponuara, u evidentuan të dhëna në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të këtyre veprave penale.Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe”, tha Kraja.
“Këto grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore”, tha ai.
Po ashtu, Kraja shtoi se “në kuadër të këtij procedimi penal pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 42 datë 17.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për 32 shtetas.Po kështu me vendimin 18.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano theksoi se operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
“Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar”, vijoi ai.
Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.
Nano shtoi se operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.
“Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale. Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale”, tha ai.
Nano sqaron se operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale.
“Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale. Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit.Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme”, tha ai.