Policia e Shtetit finalizoi sot një megaoperacion kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike. Muhamet Rrumbullaku, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë një deklarate për mediet, dha detaje mbi megaoperacionin me 1541 të proceduar dhe 23 grupe kriminale të goditura.
“Megaoperacioni i koduar “Tempulli” në fokus kishte goditjen e fenomenit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, bareve, restoranteve apo blloqeve të banimit. Policia e Shtetit, që në fillim të vitit ka hartuar një plan masash për shkollat, garantim të procesit mësimor dhe luftë pa kompromis të krimit që kërcënon brezin e ri”, u shpreh Rrumbullaku.
Ai bëri dhe një përmbledhje të punës tetëmujore të Policisë. “Këtë 8-mujor janë sekuestruar 829 kg kanabis, një pjesë e saj e përpunuar në formë çokollate, 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi. Gjatë 8-mujorit të këtij viti, nga strukturat vendore të Policisë janë referuar 170 hetime proaktive për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, nga të cilat, në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë respektive, janë finalizuar 38. Gjithashtu, në kuadër të vlerësimit të informacioneve të siguruara nga strukturat operacionale të Policisë (Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”), janë finalizuar në kushtet e flagrancës, 116 operacione, me përfshirjen e 2 ose 3 shtetasve, si shpërndarës. Për këto hetime dhe goditje, janë arrestuar, ndaluar ose proceduar në gjendje të lirë 1541 shtetas, për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale nate, bare, blloqe banimi dhe në zonat bregdetare, gjatë sezonit turistik”, tha Rrumbullaku.
“Krahas sasive të mëdha të drogave të forta apo të kanabisit, gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokaine, heroine, ekstazi, metadon, opium, fara kanabisi dhe sasi të lëndëve të tjera narkotike sintetike”, vijoi Rrumbullaku.
Ai më tej shtoi se “në kuadër të 170 hetimeve proaktive te iniciuara gjatë këtij 8-mujori, janë finalizuar 32 operacione, ndërsa gjatë paradites së sotme janë finalizuar rreth 50 % e hetimeve të tjera proaktive, me mbështetjen e prokurorive të Juridiskionit të Përgjithshëm në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës”.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, gjatë megaoperacionit u arrestuan 233 persona dhe u shkatërruan 23 grupe kriminale.
“Gjatë këtij megaoperacioni u identifikuan qindra shtetas që përmes veprimtarisë së tyre tentojnë të infektojnë tempujt e dijes në të gjithë vendin. Prandaj megaoperacioni është një goditje e fortë ndaj këtij fenomeni. Janë finalizuar 32 operacione, për një numër të konsiderueshëm shtetasish të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Janë miratuar 296 masa sigurie; Janë miratuar 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera; Janë ekzekutuar 214 masa sigurie; Janë arrestuar në flagrancë, gjatë kontrolleve, 19 shtetas; Janë shpallur në kërkim 82 shtetas; Pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale”, tha Rrumbullaku.
Ai sqaroi se “gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar provat materiale: Lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis sativa; Armë zjarri dhe armë të ftohta; Automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Nga ky megaoperacion i zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”.
“Në suksesin e këtij megaoperacioni, një rol të veçantë merr bashkëpunimi i ngushtë, korrekt e profesional, me drejtuesit e prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, me prokurorët e çështjeve dhe me drejtuesit e strukturave hetimore në drejtoritë vendore të Policisë. Hetime të tilla tregojnë edhe një herë se kur ka vullnet dhe institucionet ligjzbatuese bashkëpunojnë në klimë besimi, rezultatet janë gjithmonë në favor të qytetarëve dhe në dëm të krimit”, nënvizoi Rrumbullaku.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në konferencën për mediat pas megaoperacionit “Tempulli”, tha se do të paraqitet një paketë për dyfishim të dënimeve të krimeve që ndodhin në perimetrin e sigurisë në shkolla. Balla shtoi me tej se do të bëhen vetëpastrime nga radhët e policisë, për të gjithë ata punonjës policie që bëhen palë me grupet kriminale.
“Do të paraqesim paketë për dyfishim të dënimit të krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë së shkollave, për shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Ky është vetëm fillimi! Nxis policinë e shtetit ta ruaj këtë qasje të re të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë ditës së sotme do nxjerrim konkluzione për mënyrë e organizmit të operacionit dhe qasje të reja ndaj një fenomeni që do të vijë duke u minimizuar sikur është rrjedhja e informacionit nga brenda policisë. Gjatë këtij operacioni nuk kemi pasur problematika të kësaj natyre, por ishte operacioni i parë i madh i këtij niveli. Mos u habisni që ngjarje të tilla t’i kemi më të shpeshta. Pas pak do jetë AMP që do ketë komunikim për të njoftuar se çfarë ka parë gjatë zhvillimit të këtij operacioni kur ka punonjës të policisë të përfshirë në grupe kriminale”, tha Balla.
Rama përshëndet megaoperacionin ‘Tempulli’
Kryeministri Edi Rama përshëndeti operacionin e ndërmarrë nga policia për goditjen e shpërdarësve të drogave në ambientet rreth shkollave dhe blloqeve banimi.
“Superoperacioni i policisë së shtetit u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave.
Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.
Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”
/Argumentum.al