Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i është përgjigjur urimit të kryeministrit Edi Rama për detyrën e re si e para grua e thirrur nga populli për të udhëhequr shtetin italian.
Meloni thekson se lidhja mes dy vendeve tona është një lidhje historike me një bashkëpunim strategjik.
Ajo nënvizon se dëshiron që këtë lidhje strategjike ta ruajnë dhe kultivojnë.
“Faleminderit Edi Rama. Lidhja mes Italisë dhe Shqipërisë është një lidhje historike dhe një bashkëpunim strategjik që ne dëshirojmë ta ruajmë dhe kultivojmë”, shkruan Meloni në një postim në twitter.
Një ditë më parë, Kryeministri Rama e uroi homologen italiane pas marrjes së detyrës si kryeministri e Italisë.
“Urime gruas së parë të thirrur nga populli për të udhëhequr Italinë, një vend të cilit Shqipëria i detyrohet shumë dhe me të cilin na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore, e cila ka frymëzuar gjithmonë marrëdhëniet mes qeverive tona. Suksese Giorgia Meloni”, shkroi një ditë më parë Rama në një postim në rrjetet sociale.
Meloni u betua ditën e djeshme, ndërsa formoi edhe kabinetin e ri qeveritar që do të drejtojë Italinë në këtë kohë të vështirë krize ekonomike globale.