Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot se “votimi i Dhomës së Dytë të Përfaqësuesve në Parlamentin Hollandez për t’i kërkuar Bashkimit Evropian inicimin e procedurës për pezullimin përkohëshëm të liberalizimit të vizave nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve shengen”.
Sipas saj, shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetëm kushtet aktualisht në fuqi.
“Njështet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë.
Gjithsesi, është Komisioni Evropian që do të shqyrtonte kërkesën dhe do t’i jap përgjigje asaj. Duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk eshte plotësuar në rastin e Shqipërisë”, sqaroi ajo.
Shton edhe se migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandes ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%, ku shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore.
“Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata hollandezë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e angazhuar të vazhdojë në mënyrë intensive bashkëpunimin si me autoritetet e Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe me vëndet e tjera anëtare të BE për të luftuar aktivitetet e paligjshme ndërkufitare”, pohon MEPJ shqiptare.