Në Shqipëri çdo vit organizohen aktivitete ndërkombëtare kulturore/artistike/sportive, ku marrin pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme të botës.
Në një njoftim për shtyp Ministria për Evropën dhe punët e Jashtme bën të ditur se mirëpret dhe mbështet çdo aktivitet që e bën vendin tonë qendër të shkëmbimit kulturor/sportiv dhe promovon vlerat tona kombëtare.
Në funksion të mbarëvajtjes së këtyre aktiviteteve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme fton organizatorët të informohen dhe të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, për hyrjen në territorin shqiptar të shtetasve të huaj pjesëmarrës në eventet e planifikuara.
Bazuar në Ligjin nr. 79/2021 “Për të huajt”, shtetasit e huaj që i nënshtrohen regjimit të vizave për të hyrë në Republikën e Shqipërisë, edhe për nënllojin e vizës C- Për motive shkencore, kulturore, sportive dhe humanitare kanë detyrimin të aplikojnë për vizë në platformën: https://e-visa.al/.
Që nga momenti i aplikimit online (i cili përfshin edhe pagesën sipas ligjit), procesi i vlerësimit të aplikimit për vizë zgjat 5 deri 15 ditë, dhe deri 30 ditë për raste përjashtimore. Për këtë arsye, të gjithë të interesuarit ftohen të aplikojnë për pajisjen me vizë në një kohë të mjaftueshme që mund të lejojë udhëtimin e tyre sipas rregullave.
Vetëm pas miratimit të vizës pullë ose elektronike shtetasi i huaj mund të udhëtojë për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas marrjes së vizës, shtetasit e huaj (me përjashtim të rasteve të azilkërkimit), duhet të paraqiten në pikën e kalimit kufitar me: Një dokument udhëtimi (pasaportë) të njohur nga Republika e Shqipërisë, me një afat vlefshmërie të paktën 3 muaj para datës së përfundimit të qëndrimit të lejuar të ligjshëm në territor dhe vizë hyrëse të vlefshme, nëse kërkohet, ose të jetë i pajisur me leje të vlefshme qëndrimi, të lëshuar nga autoriteti kompetent shqiptar ose të lëshuar nga vende të tjera dhe të njohur nga Republika e Shqipërisë.