Mesazhet e pritshme të kancelares Merkel në Beograd dhe Tiranë dhe si do të vazhdojë “Procesi i Berlinit” pasi iniciatorja Merkel të mos jetë më kancelare?
Angela Merkel, e para grua kancelare në historine e Gjermanisë dhe e dyta për shërbimin më të gjatë në këtë detyrë pas kancelarit Helmut Kohl, mbetet avokatja e fuqishme e integrimit në Bashkimin Europian. (BE) të Ballkanit Perëndimor, (BP). “Gjashtë vendet e BP i shoh, për arsye strategjike, si anëtare të ardhshme të BE. Është në interes të BE që ta ꞔojë procesin përpara”, tha kancelarja Merkel, kur mirëpriti në Berlin, më 5 korrik të këtij viti, samitin e tetë të BP në kuadër të ” Procesit të Berlinit “, nismës diplomatike të inicuar nga vetë ajo 7 vjet më parë.
Duket se është pikërisht ky qëndrim i palëkundur për domosdoshmërinë e hyrjes së BP në familjen europiane që e ka nxitur Angela Merkel të ndërmarrë një tur ballkanik dyditor, në mbyllje të mandatit të saj të katërt dhe të fundit si kancelarja federale gjermane.
Ajo do të qëndrojë të hënën (13.09) fillimisht në Beograd ku do të zhvillojë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile të BP dhe të martën në Tiranë, ku do të takohet me krerët e qeverive të Bosnjë-Herzegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si edhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Rama.
Kancelarja Merkel – besim dhe respekt në rajon
Vlera dhe domethënia e qëndrimit në Beograd dhe Tiranë të kancelares Merkel shihen si me më rëndësi, sesa takimet e lamtumirës. “Kancelarja Merkel, përfaqëson një personalitet të madh që ka lënë vulën e saj, që ka ngjallur besim e respekt në 16 vite në këtë detyrë. Gjermania vlerësohet nga shqiptarët si një nga partnerët më të mëdhenj dhe kancelarja Merkel si një nga përfaqësueset më të shquara të Gjermanisë në 30 vitet e fundit. Edhe në vendet e tjera të rajonit ka të njëjtën optikë si kjo e shqiptarëve,” thotë për DW, historiani dhe politikani i njohur, prof. Paskal Milo, ish Ministër i Jashtëm.
Ai thekson që edhe pse ky tur ballanik ka në vetvete “shijen e një lamtumire” ai nuk është vetëm i tillë. “Merkel ka pasur një rol të veçantë në vendet e BP, jo thjesht nga pozita e saj si kancelare e Gjermanisë, por edhe si individ e personalitet që ka ngjallur besueshmëri tek qeveritë dhe mjediset politike problematike të rajonit. Emri i saj është i lidhur me një nismë konkrete, me ” Procesin e Berlinit”. Vendet e BP i kanë respektuar dhe vlerësuar mendimet e qëndrimet e saj për këtë nismë. Ajo me të drejtë shkon në Beograd dhe vjen nesër në Tiranë për të bërë edhe një bilanc të kësaj nisme dhe pse jo, të japë edhe këshilla për të mos e ndërprerë apo devijuar “Procesin e Berlinit” në forma dhe mënyra të tjera,” thotë për DW, prof. Paskal Milo.
“Procesi i Berlinit”: Pritshmëritë dhe realiteti
Shtylla kurrizore e këtij procesi, është nxitja e dialogut dhe bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor para integrimit të tyre në BE, ku ngritja e Tregut të Përbashket Rajonal deri në 2024 përbën një prioritet.
Adrian Haꞔkaj, Drejtor i Institutit për Kërkim, Bashkëpunim dhe Zhvillim, koordinator i Forumit,”Tirana Connectivity” që funksionon në kuadër të “Procesit të Berlinit” thotë për DW, se ky proces ” ka ndërtuar identitetin e tij përmes takimeve të shpeshta në nivel të lartë mes krerëve të shteteve dhe të qeverive të BP dhe atyre të BE. Por ky proces nuk ka pasur as buxhet, as institucione dhe as kuadër ligjor. Impaktin e ka dhënë përmes nismave ku më të rëndësishmet janë procesi i zgjerimit dhe axhenda e ndërlidhshmërisë, konnektivitetit apo të Mini-Schengenit ballanik apo “Open Balkans”, thekson ai.
”Për pasojë rezultatet e prekshme perceptohen përmes përgatitjes së Planit Ekonomik dhe për Investime (PEI), prej 9 miliardë eurosh, jo mjaftueshëm për nevojat e rajonit të prezantuar nga Komisioni Europian, Tregut Rajonal të Përbashkët ose ndërtimit të një doktrine të BE ku konektiviteti, ndërlidhshmëria është instrument i rëndësishëm gjeopolitik. Në komponentin e bashkëpunimit rajonal, “Procesi i Berlinit” ka kontribuar në rritjen e nismave që vijnë prej vendeve të BP si psh Mini Schengeni dhe “Open Balkans” thotë për DW, Adrian Haꞔkaj.
Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nisma “Open Balkans”
Ngritja e Tregut të Përbashkët Rajonalderi në vitin 2024, për të cilin janë zotuar të 6 vendet e BP, konsiderohet nga Gjermania si parakusht vendimtar për të realizuar Planin Ekonomik dhe për Investime të BE për këto vende. Edhe pse në parim Gjermania përshëndet ”ꞔdo bashkëpunim rajonal në BP” ajo i jep rëndësi atij bashkëpunimi rajonal që përfshin dhe është i hapur për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë optikë nisma “Open Balkans” ku merr pjesë vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia zbehet përballë gadishmërisë së së 6 vendeve të BP për të ngritur Tregun e Përbashkët Rajonal
“Një arsye e rëndësishme pse kancelarja Merkel qëndron sot në Beograd dhe nesër vjen në Tiranë është që kryeministri shqiptar Rama dhe presidenti i Serbisë, Vucic janë nismëtarët e projektit “Open Balkans” dhe ajo dëshiron të japë disa këshilla që nisma ballkanike të mos përjashtojë, por të kombinohet e të integrohet me nismën e saj të “Procesit të Berlinit” thotë për DW, prof. Paskal Milo.
Situata në rajon dhe mesazhet e pritshme të Merkel
Kancelarja Merkel pritet t’u japë këshillat e saj krerëve të BP, kur situata në rajon dhe në BE nuk është favorizuese për progres në proceset integruese. “Ku më shumë e ku më pak në BP nuk ka reforma thelbësore për të luftuar fenomenet tashmë kronike të korrupsionit, të krimit të organizuar, të mungesës së shtetit ligjor, të informalitetit, të varfërisë e të emigracionit. Qeverisjet e këtyre vendeve janë ende larg standarteve të demokracisë funksionale evropiane. Nga ana tjetër kriza e vetë BE, sidomos ajo institucionale e lidhur me vendimmarrjen si dhe koniunkturat e brendshme politike në disa vende anëtare krijojnë pengesa shtesë dhe të paparashikuara, aq sa krijohet përshtypja se integrimi i vendeve të BP në BE mbetet një ëndërr e largët, ” thotë për DW, prof. Paskal Milo.
Gjithsesi pritet që kancelarja Merkel të japë mesazhet e saj edhe në një situatë të tille jo të favorshme. “Mendoj që Kancelarja Merkel do të japë mesazhe për thellimin e reformave demokratizuese dhe forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjidhjes me durim të mosmarrëveshjeve nga konfliktet e vjetra mes vendeve të rajonit. Ajo do të theksojë respektimin e frymës së “Procesit të Berlinit” dhe angazhimin për zbatimin e projekteve të miratuara. Nuk shpresoj që do të mund të tregohet entuziaste për “Open Balkans “. Besoj që do të tërheqë vëmëndjen për rrezikun që përfaqëson një ndërhyrje e shtuar e aktorëve të tretë të jashtëm në rajon, si Rusia, Kina, Turqia etj për stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të tij. Dhe së fundi zonja Merkel do të përpiqet që përtej slloganit të konsumuar të Brukselit se “e ardhmja e vendeve të BP është në BE”, t’u japë bashkëbiseduesve të saj në rajon shpresa të bazuara përmes hapave konkrete dhe një kalendar optimal.” Thotë për DW, prof. Paskal Milo.
Post-Merkel: A do të vazhdojë “Procesi i Berlinit”?
Kjo është një pyetje thelbësore për të cilën ka disa skenarë. “Ka konsensus për vazhdimin e “Procesit të Berlinit” në një formë ose tjetër: psh përmes PEI, të jetë nën kujdesin e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit apo nën kompetencën e vendeve të BP. Sidoqoftë, që ky proces të ketë sukses duhet mbështetja e BE me buxhet dhe harmonizimi BE-BP për planet zhvillimore dhe të reformave. Kusht tjetër është legjitimiteti dhe llogaridhënia përballë qytetarëve të BP. Në këtë kontekst mbi 20 organizata të specializuara nga 6 vendet e BP i kanë dërguar një letër të hapur organeve të BE, ku i kërkojnë rritje të transparencës, llogaridhënies për fondet e BE dhe një zë më të fuqishëm të qytetarëve në tavolinat ku merren vendimet per PEI”, thotë për DW, Ardian Haꞔkaj.
.