Vizita e saj e parë në ish-kampin gjerman të përqendrimit Aushvic-Birkenau ishte për Kancelaren Merkel padyshim gjithçka tjetër, por jo e lehtë.
Angela Merkel bëri vizitën e saj të parë zyrtare në Aushvic-Birkenau të premten (06.12.2019) pas 14 vjetësh si kancelare e Gjermanisë. Atë e shoqëroi kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki si dhe ish të burgosur dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme hebreje.
Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit e quajti vizitën e Merkelit një “shenjë veçanërisht të rëndësishme” të solidaritetit me ata që u mbijetuan tmerreve të Holokaustit.
Merkeli tha në kampin e vdekjes në Aushvic – Birkenau se tmerri i Holokaustit ishte “i pakonceptueshëm”. Ajo theksoi faktin se autorët ishin gjermanë dhe se Gjermania ka një detyrim ndaj viktimave, që t’i përgjigjet përgjegjësisë.
“Unë ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania,” tha ajo, duke shtuar më vonë se kujtimi i krimeve dhe pranimi i përgjegjësisë është një “pjesë e pandashme” e identitetit kombëtar të Gjermanisë.
Gjermania ka “detyrim të mbrojë jetën hebreje”, vuri në dukje Merkeli, duke shtuar se “antisemitizmi nuk do të tolerohet”. Ajo gjithashtu vizitoi Murin e Vdekjes në pjesën e Aushvicit, ku ushtarët SS pushkatuan mijëra vetë, shumica të burgosur politikë polakë. Zona e ekzekutimit është një vend i rëndësishëm kombëtar për kujtesë.
Udhëtimi shënon 10 vjetorin e krijimit të Fondacionit Aushvic – Birkenau, i cili ruan memorialin. Merkeli njoftoi se Gjermania do të dhurojë 60 milion € (67 milion dollarë) si ndihmë financiare për fondacionin.
Merkelin e shoqëruan ndër të tjera Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster dhe Kryetari i Këshillit Qendror të Sintëve dhe Romëve të Gjermanisë, Romani Rose.dw