Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se ishte e “zemëruar dhe e trishtuar” nga protestat e dhunshme në Kongresin amerikan.
“Rregull thelbësor në demokraci është që, pas zgjedhjeve, ka fitues dhe humbës. Që të dyja palët duhet të luajnë rolin e tyre me mirësjellje dhe përgjegjësi, në mënyrë që demokracia të fitojë. Presidenti (aktual amerikan, Donald) Trump fatkeqësisht nuk ka pranuar humbjen që prej zgjedhjeve të nëntorit, e as dje (më 6 janar) nuk e bëri një gjë të tillë”, tha Merkel para ligjvënësve gjermanë.
Kancelarja Merkel, megjithatë tha se inaugurimi i Joe Biden, si president i SHBA-së më 20 janar, do të hapë “një kapitull të ri” në demokracinë amerikane.
“Është tragjike humbja e jetës së njerëzve gjatë ngjarjeve të kësaj nate. Por, për mua ka shpresë sepse Kongresi e vazhdoi punën. Kongresi konfirmoi fitoren në zgjedhje të Joe Bidenit dhe Kamala Harrisit. Shtetet e Bashkuara do të hapin një kapitull të ri në demokracinë e tyre për më pak se dy javë”, tha kancelarja gjermane.
Më 6 janar, teksa nisi punimet Kongresi amerikan, protestues të dhunshëm, mbështetës të Trumpit, hynë në ambientet e Kongresit. Autoritetet thanë se gjatë protestave të dhunshme kanë vdekur kater persona.
Pasi nga Kongresi u larguan protestuesit, ligjvënësit certifikuan fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2020.