Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ia kushtoi mesazhin e fundjavës Konferenës së saj të fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila zhvillohet të hënën (05.07), në mënyrë virtuale
„Edhe pse takimi do të bëhet vetëm me video, unë jam e gëzuar që do të mund të vijojmë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në podcastin e saj të përjavshëm, të shtunën (2.7.2021) në Berlin.
Ndihmesë për stabilitet dhe dialog
Merkel kujtoi më tejfillimet e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014: “Si atëherë, ashtu edhe sot qëllimi është të japë ndihmesa sa më konkrete për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për dialogun paqësor mes të gjiha palëve”, vijoi më tej politikania kristiandemokrate.
Kancelarja Gjermane rikujtoi përgjegjësinë e BE-së dhe të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor: “Ai është një pjesë e Evropës, ku nuk janë shëruar ende plagët e luftrave të viteve 90-të, e dhunës ndër grupet etnike. Por: Në Gjermani jetojnë edhe shumë shtetas, që i kanë rrënjët e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor, kujtoi kancelarja më tej.
„Për mua është mëse e qartë: Ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuara për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”
Këmbimet mes të rinjve
Merkel më tej veçoi disa nga arritjet e Procesit të Berlinit: „Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, i cili bën bashkë të rinj nga etni, gjuhë dhe fe të ndryshme”, por edhe „në arsimin profesional, në njohjen reciproke të diplomave të shkollave të larta dhe në bashkëpunimin e shkencës”, si edhe „përparimet në projektet e transportit dhe infrastrukturës, të cilat ndërlidhin rajonin”.
Të gjitha janë hapa të rëndësishme për të arritur në një komunikim të vazhdueshëm përtej kufijve, i cili ndihmon që të pakësohen rezervat. Dhe i sjell këto vende të gjitha së bashku në synimin e tyre për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE. Jam e bindur se herët a vonë e ardhmja e tyre me të vërtetë do të jetë në Europën e bashkuar”, tha kancelarja.
Lipset ende pajtim
Më tej Merkel u përqendrua edhe te sfidat e rajonit. „Ende nuk janë zhdukur mosbesimi dhe nacionalizmat e vjetra, të cilat shumë shpesh ngjallin grindje dypalëshe”.
Edhe në të ardhmen nevojitet pajtim, tha nismëtarja e Procesit të Berlinit: “Kjo do të thotë që të trajtohet e kaluara, por edhe të bëhet gjithçka e mundshme që brezi i ri të jetojë në paqe”
„Unë jam e bindur se me konferencat e përvitshme të Ballkanit Perëndimor, ne mund të ndihmojmë në këtë proces”, përfundoi kancelarja Merkel. /dw
.