BE-ja u ndalon linjave ajrore bjelloruse të përdorin hapësirën ajrore dhe aeroportet dhe po përgatit sanksione kundër Minskut.
Krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së vendosën pas konsultimeve në Bruksel t’u ndalojnë linjave ajrore bjelloruse që të përdorin hapësirën ajrore si dhe aeroportet e BE-së. “Ne pamë një ulje të detyruar që çoi në arrestim,” tha Merkel pasi arriti në samitin e BE-së. “Të gjitha shpjegimet e tjera për uljen e avionit të Ryanair-it janë plotësisht të papranueshme.”
Kancelarja gjermane, Angela Merkel i konsideron të papranueshme dhe të pabesueshme shpjegimet e Minskut për detyrimin e një avioni që të zbriste në Bjellorusi dhe për arrestimin e një disidenti në bord.
Vendet e BE-së thërresin ambasadorët e Bjellorusisë
Komentet e Merkel erdhën pasi Gjermania iu bashkua disa vendeve evropiane që thirrën ambasadorët e Bjellorusisë në vendet e tyre, pas tronditjes për uljen e detyruar të një avioni në Minsk dhe për arrestimin e një gazetari disident që pasoi pasoi pas uljes së avionit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas po ashtu i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve bjelloruse se shkak për uljen e detyrueshme të avionit kishin qenë njoftime të besueshme se siguria e aeroplanit ishte e kërcënuar.
“Shpjegimet e dhëna deri tani nga qeveria bjelloruse për uljen e detyruar të një avioni të kompanisë Ryanair në Minsk janë absurde dhe jo të besueshme,” tha Maas.
Shumë përfaqësues të BE-së dhe të vendeve anëtare e dënuan veprimin e Minskut. Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda shkroi i indinjuar në Twitter se ulja e detyruar e avionit është “një veprim i paparë deri tani” dhe kërkoi reagime të menjëhershme nga BE dhe NATO. Edhe kryeministri polak foli për një “akt terrorizmi shtetëror”, kurse kryetarja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen deklaroi: “Çdo shkelje e rregullave ndërkombëtare të trafikut ajror duhet të kenë pasoja”.
Sanksione të specifikuara
Pas ndalimit të linjave ajrore bjelloruse që të përdorin hapësirën ajrore si dhe aeroportet e BE-së krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së do të diskutojnë edhe për sanksione të tjera ndaj Bjellorusisë.
Korrespondeti i DW, Bernd Riegert, i cili po ndjek samitin e BE-së, tha se sanksionet më të mundshme janë “sanksionet e specifikuara”, ose “sanksionet e mençura”, siç quhen ato në gjuhën e Brukselit.
Këto përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe kufizimin për të udhëtuar për individët e sanksionuar, si dhe shkëputjen e Bjellorusisë nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.
“Të gjithë udhëheqësit e BE janë të një medimi, madje edhe vendet direkte fqinjë si Polonia dhe vendet baltike. Duket se Bjellorusia ka kaluar vijën e kuqe,” njofton Riegert.
Një zyrtar i NATO-s tha se ambasadorët e aleancën ushtarake perëndimore do të diskutojnë gjithashtu për këtë incident gjatë ditës së martë (25.05.)./dw