Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh të martën se Gjermania nuk do të përkrahë vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë nga Bashkimi Europian.
Po të martën, Merkeli zhvilloi bisedime në Berlin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në konferencën e shtypit të zhvilluar pas bisedimeve, kreu i qeverisë gjermane tha se në samitin e BE-së që do të zhvillohet këtë javë, Gjermania do të përkrahë vazhdimin e sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Rusisë, por jo shtimin e këtyre sanksioneve. Sipas saj, sanksionet do të hiqen vetëm nëse rivendosen sovraniteti e tërësia territoriale e Ukrainës.
Zelensky u shpreh nga ana e tij se sanksionet e tanishme të Perëndimit ndaj Rusisë nuk janë të mjaftueshme, prandaj duhet të shtohen.
Sipas njoftimeve të medias gjermane, gjatë bisedimeve, Merkeli dhe Zelensky biseduan edhe për projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Zelensky e kundërshtoi këtë projekt, por Merkeli u shpreh se ai është një projekt krejtësisht ekonomik dhe se Gjermania duhet të ketë më shumë kanale për t’u furnizuar me energji.
Projekti “Nord Stream 2” planifikon ndërtimin e një gazsjellësi nga Rusia në Gjermani nëpërmjet fundit të detit Baltik. Nëpërmjet tij, gazi natyror i Rusisë mund të transportohet në Gjermani pa kaluar nga Ukraina. Më pas gazi mund të transportohet në vende të tjera europiane nëpërmjet Gjermanisë.