Nga Arben Cici
Gjatë paradites së të shtunës, ditës së parafundit të Panairit të Librit në Tiranë, hapësira rreth Pallatit të Kongreseve ishte e mbushur me njerëz që hynin e dilnin zhurshëm në goditën e panairit. Kishte më shumë vizitorë se ditën e enjte, por jo më shumë se e premtja, dita kur nxënësit e shkollave dyndeshin të organizuar, një traditë e bukur kjo dhe me shumë dobi. Brenda, njerëzit shfletonin lirshëm faqet e librave të rinj, duke gjetur stenda ku aroma e leximit përzihej me ajrin e rënduar të qytetit. Një lexues, ndoshta një ëndërrimtar, po blinte librin e tij të parë për vitin.
Por pikërisht përballë Pallatit të Kongreseve, aty ku lëvizte rryma e lexuesve dhe të interesuarve të librit, po atë paradite filloi një tjetër lëvizje. Një shfaqje paralelisht befasuese: shitësit e rrugës ngritën qoshet e tyre shitëse, plot me flamuj kuqezi, shalle dhe kapele që tregonin afrimin e orës së ndeshjes të mbrëmjes të futbollit, Shqipëri-Çeki.
Po përjetohej gradualisht, me kalimin e ditës, se si rrjedha e qetë e librit po i dorëzohej lumit të zhurmshëm të futbollit.
Në mes të kësaj përplasjeje kulturore, një pyetje e heshtur qëndronte pezull në ajër: ku shkon ky popull? Tek libri apo stadiumi?
Fluksi dhe pabarazia e dukshme:
Pasdite vonë, gjithçka u bë më e qartë. Radhët që dilnin nga Panairi i Librit ishin të qeta dhe më të ralla. Një përrua i qetë, njerëz me çanta të vogla ku fshiheshin libra. Në të njëjtën kohë, turma e tifozëve filloi të fryhej si një lumë që merr përpara gjithcka duke rrezikuar dhe argjinaturat e përkohshme prej metali të Policisë së Shtetit. Ata mbushnin trotuaret e rrugët, me shalle, plisa në kokë, duke valëvitur flamuj, duke kënduar himnin dhe brohoritur Shqipëria, Shqipëria, për t’u drejtuar ngjeshur tek ngushtica e Pallatit të Kongresëve, pritëse e Panairit të Librit,
Deri në mbrëmje, nuk pati më dyshim: stadiumi kishte triumfuar mbi panairin.
Por përse?
A ka diçka më tërheqëse në britmat e një goli sesa në heshtjen e një paragrafi të shkruar me kujdes dhe me shumë emocion? Ose mos vallë një stadium me mijëra ulëse dhe një ndriçim spektakolar është më bindës sesa një sallë e mbushur me libra të palosur në rafte të thjeshtë?
Vlera e dijes dhe forca e emocionit:
Futbolli, ky art i rrëmbyeshëm i lëvizjeve të shpejta, shndërrohet lehtësisht në pasion kombëtar dhe në magji. Është një magnet që tërheq turma, një skenë ku emocionet janë të papërmbajtura dhe ku euforia e përbashkët e një goli mund të duket më e rëndësishme dhe të përjetohet shumë më fort se çdo rresht në një roman të bukur dhe të qendisur mjeshtërisht nga një autor me shumë emër.
Nga ana tjetër, libri është ndryshe. Ai kërkon përqendrim, vëmëndje dhe qetësi, një angazhim e përjetim të brendshëm që nuk mund të konkurrojë me zhurmën e një stadiumi. Por libri është ai që mbjell mendimin kritik, pasuron nxënien e që formon dijen, identitete dhe mban të gjallë kujtesën e një kombi.
Ku janë paratë dhe vëmendja?
Aty ku është turma, janë edhe paratë. Stadiumet ndërtohen me miliona euro, ndërsa buxheti për bibliotekat dhe panairet e librit shpesh mbetet një copëz modeste në listën e shpenzimeve buxhetore kombëtare. Sponsorët vrapojnë pas sportit, sepse sporti shet: bileta, reklama, fanella, por mbi të gjitha ëndrra. Nga ana tjetër, një libër mund të jetë një përpjekje e brishtë, një histori, një përvojë, një imagjinatë, një krijim, një motiv, një ndjenjë, një emocion por në botën e parasë është një ftesë që shpesh mbetet pa përgjigje.
Televizionet i kushtojnë orë të tëra analizave të ndeshjeve, komenteve të ekspertëve dhe intervistave me lojtarët, famës, pasurisë dhe kontratave të tyre marramendëse. Ndërkohë, një autor i suksesshëm, shumë i suksesshëm madje, do të ketë fat nëse merr disa minuta hapësirë në një emision televiziv, dhe kjo ndodh një herë në vit, vetëm kur hapet Panairi i Librit në Tiranë. Media dhe rrjetet sociale që do të duhet të jenë një ndërmjetës i baraspeshuar dhe i drejtë mes dy botëve, përkrahin pa mëdyshje fituesin e garës së shikueshmërisë dhe drejtimin e parasë.
Fëmijët mes një topi dhe një libri
Nëse një fëmijë ka dy idhuj – një futbollist të famshëm dhe një shkrimtar – cilin do të ndjekë?
Shanset janë që topi të fitojë mbi librin. Pse?
Sepse futbolli shihet si diçka argëtuese dhe e realizueshme, ndërsa libri kërkon një përkushtim të heshtur dhe shpesh nuk ofron lavdi të menjëhershme.
Fëmijët frymëzohen nga ajo që shohin më shumë dhe që paraqitet më joshëse. Reklamat sportive, lojtarët që bëhen modele në ekran, të gjitha i largojnë fëmijët nga raftet e librave. Në një shoqëri ku loja shpesh mbivendoset mbi dijen, është e vështirë të gjenden rrugë të mesme.
Çfarë duhet bërë?
A duhet ta shohim këtë si një garë mes librit dhe stadiumit? Apo ndoshta duhet të krijojmë një urë që i lidh të dyja botët?
• Investimi në kulturë: Librat kanë nevojë për një platformë dhe motivim po aq të fortë sa futbolli. Bibliotekat, panairet, dhe botimet duhet të marrin mbështetje konkrete dhe motivuese e jo premtime boshe që i bën ato të dukshme, tërheqëse dhe konkurruese. Paratë nuk lëvizin vetë, ato tërhiqen, shtyhen e orientohen drejt qëllimit. Ka shumë hapësirë edhe në kulturë pa dëmtuar fitimet që vijnë nga futbolli.
• Media dhe roli i saj: Televizionet, podcast-et, mediat sociale duhet të gjejnë mënyra për të promovuar kulturën, historinë e letërsinë me të njëjtin pasion që tregojnë për futbollin. Një panel mbi një roman të ri mund të jetë po aq intrigues sa një analizë ndeshjeje, nëse bëhet me mjeshtëri.
• Edukim i balancuar: Shkollat dhe familjet duhet të inkurajojnë një dashuri të barabartë për sportin dhe dijen, duke treguar se të dyja kanë vlerën e tyre unike për një shoqëri të shëndetshme dhe të shëndoshë. Ndërsa Qeveria e futbollit investon bujarisht në stadiume të reja dhe ngjarje sportive, Ministria e Arsimit mbetet në hije me buxhete të pamjaftueshme për bibliotekat, shkollat dhe aktivitetet kulturore për fëmijët e të gjitha moshave.
Futbolli, i cili shihet me të drejtë si një arenë e krenarisë kombëtare dhe sjell të ardhurave të shpejta, merr vëmendje dhe mbështetje prioritare, ndërsa librat dhe edukimi shpesh trajtohen si një luks, jo si një domosdoshmëri. Një qeveri që synon zhvillimin e një shoqërie të ekuilibruar duhet të ndërtojë një strategji ku arsimi dhe kultura marrin të njëjtën përkujdesje si sporti, duke krijuar politika e hapësira të reja për dijen, kulturën, letërsinë e leximin dhe duke e bërë librin po aq tërheqës sa biletat e një ndeshjeje, jo nga çmimi por nga vlera.
Në fund, nuk është çështje e të zgjedhurit mes një libri dhe një stadiumi. Shoqëria ka nevojë për të dyja, por edhe për një ekuilibër të ri, ku dija të mos zbehet nga emocioni i një goli dhe ku libri të mos jetë vetëm një kujtim në raft.
Të shtunë pasdite vonë, ndërsa lumi i tifozëve pushtonte Tiranën dhe rrethonte Panairin e Librit, përroi i lexuesve qëndronte si një kujtesë e heshtur e një monedhë që ende pret të vlerësohet. Pyetja është: do të gjejmë guximin t’i japim librit të njëjtën zhurmë që i japim stadiumit? Apo do të vazhdojmë të rrëmbehemi nga rrjedha impulsive e emocionit të çastit?
E ardhmja e shoqërisë varet edhe nga përgjigja e kësaj pyetjeje.
/Argumentum.al