Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përkujtoi sot 469-vjetorin e librit të parë në gjuhën shqipe.
“Sot është ditëlindja e librit në gjuhën shqipe”, theksoi Begaj në një reagim në rrjetet sociale.
“Më 5 janar të vitit 1555 Gjon Buzuku përfundoi së shkruari librin e parë në gjuhën shqipe: “Meshari””, nënvizoi Presidenti Begaj.
Vetë autori, dom Gjon Buzuku shkroi në pasthënien e “Mesharit”, kësaj vepre monumentale të gjuhës shqipe, se e nisi më 20 mars 1554 dhe e mbaroi së shkruari më 5 janar 1555.
Në vitin 1740 “Mesharin” e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fide-s, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Kopje të “Mesharit” gjenden edhe në Bibliotekën Kombëtare.