Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor.
Kështu deklaroi sot presidenti Ilir Meta në forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan me temë: “Ballkani Perëndimor: Si të kapërcehen pengesat në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Me këtë gjë në në mendje, aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e anëtarësimit dhe për të arritur ata që ndodhen në krye të garës, janë aq intensive sa edhe më parë”, nënvizoi Meta.
Presidenti Meta e quajti gjithashtu të mençur dhe të guximshëm vendimin e BE-së për ta zbatuar regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në përgjithësi procesin e shpejtë të anëtarësimit për mbarë rajonin.
Sipas tij, këto shpresa nuk përkthehen në një anëtarësim vetvetiu.
“Jemi të vetëdijshëm se procesi i këtij transformimi të thellë është ende në vazhdim si dhe që ne nuk duhet ta humbasim besimin. Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon Bashkimi Europian. Megjithatë, jemi në solidaritet me partnerët tanë, si dhe kundër çdo lloj loje që mund të verë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët europiane”, theksoi Meta.
Kreu i shtetit theksoi gjithashtu rolin kyç që ka luajtur Gjermania deri më tani për të mbuluar “lodhjen europiane”, me një qasje më të fokusuar drejt Ballkanit Perëndimor përmes Procesit të Berlinit.
“Procesi i Berlinit asnjëherë nuk u hartua me synimin për të zëvendësuar zgjerimin europian, por u ideua si një mekanizëm nxitës për investime më thelbësore europiane si dhe bashkëpunim në rajonin tonë”, shtoi Meta.
Presidenti u shpreh se “shpresoj që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona”.