Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar sërish mbi situatën e pandemisë, e cila për fat të keq vijon të marrë jetë njerëzish, ku sot me vdekjen e një 55-vjeçareje nga Vlora, numri total i viktimave që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 200.
Kreu i shtetit thotë se, duke parë informacionet pozitive që vijnë lidhur me terapinë me plazmë hiperimune në trajtimin e pacientëve, inkurajon strukturat shëndetësore, të ecin sa më shpejt dhe të aplikojnë këtë strategji për të shpëtuar jetën e qytetarëve.
“Nisur nga informacionet përgjithësisht pozitive lidhur me terapinë me plazmë hiperimune (konvaleshente) dhe për shkak se aplikimi i saj ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19, inkurajoj të ecet sa më shpejt me këtë terapi, duke siguruar së pari të gjitha aparaturat që bëjnë të mundur aplikimin e saj”, shkruan Meta.
Kreu i Republikës thotë se duhet të kërkohet ndihmë nga Italia për specialistë, pasi ky shtet shton ai, mbart mbi vete eksperiencë të spikatur në trajtimin e kësaj strategjie.
“Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga Italia për asistimin me specialistë, si një vend me eksperiencë të spikatur për vënien në zbatim të këtij protokolli. Kjo do të mundësonte jo vetëm një aplikim të suksesshëm dhe zbatim strikt dhe shkencor të këtij protokolli, por dhe do evitonte çdo lloj pasaktësie e pasigurie, që mund të verifikohet në praktikë”, shton Meta.