Deklarata e plotë e shoqatës “Çamëria”
Ndoqëm sot me habi dhe zemërim të ligjshëm ceremoninë e dekorimit të ambasadores greke në Tiranë, Eleni Sourani, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut”
Është për tu vajtuar se si “Kalorësja e Urdhërit të Skenderbeut”, do luftojë kundër Ligjit të Luftës që vendi i saj Greqia, mban paturpësisht me vendin e Skenderbeut.
Nuk dimë për cilat merita të veçanta dekorohet një individ i cili ka bërë të pamundurën të minojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritarëve, siç ishte rasti i Kacifas.
Kur ka kërkuar heqjen e pllakës së Çamërisë nga sheshi “Skënderbej”, kur ka mohuar e përdhosur vuajtjet e këtij komuniteti duke i njehesuar si palë me nazizmin gjerman, e në të gjitha rastet e tjera kur ka patur rol thjesht luftënxitës në problemet delikate e ende të pazgjidhura mes dy vendeve?
Nuk i dimë meritat e kësaj “kaloreseje të Skënderbeut”, kur dhjetra pleq çam kthehen në kufi e u grisen pasaportat shqiptare, sepse kanë të shënuar vendlindjen e tyre Filat, Margëlliç, Paramithi, Arpic, Volë , Pargë, Artë, Gumenic, Janinë, Prevezë, etj
Presidenti i cili shpesh i referohet figurave historike, duhet të dijë mirë të bëjë dallimin mes Mic Sokolit e Esat Toptanit, e të tërheqë me urgjencë një titull i cili po shpërdorohet, sepse nuk ka asnjë arsye ti jepet këtij individi.
Si përfaqësues i unitetit të kombit, do ti duhej që përpara se të shpërndante titujt te kjo kategori individesh, ti referohej historisë shqiptare e të kishte ndjeshmërinë e vuajtjeve dhe persekutimit të komunitetit të shqiptarëve të Çamerise, sepse nuk vlen të duash veç malet e pyjet, po mbi të gjitha lipset të respektosh shqiptarët e të sillesh me dinjitet e reciprocitet në raport me fqinjin.(Tema)