Një deklaratë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, pak ditë më parë në një nga konferencat për shtyp, se Meta mund të bëjë rolin e kryetarit të opozitës vetëm nëse Basha bën rolin e presidentit, ka sjellë edhe reagimin e Presidentit, i cili u pyet më konkretisht nëse e shihte si një mesazh të Bashës, që të mos ndërhyjë në territorin e tij
“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territori i askujt është detyra e parë e Presidentit të Republikës, i cili s’është vetëm komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura por është ushtari i parë i Republikës, këtë duhet ta dijë kushdo.
Ka ardhur koha që të verifikohet ndershmëria e patriotizmi i çdo politikani…
Le ta dinë të gjithë edhe armiqtë e Shqipërisë se do e marrin përgjigjen aty ku nuk u shkon mendja.
Boll i futën duart e tyre të zeza këtu, për të na bërë një vend gazi i botës.
Ndërsa atij zotërisë i them përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegoviçi kur e morën peng.
Thuaj popullit tënd që jam peng e vazhdo punën tënde se këtë popull e këtë vend nuk e merr askush peng më nën këtë qiell e mbi këtë tokë”, u përgjigj Meta me tone të larta.
Rama i ktheu përgjigje përmes rrjeteve sociale.
“Ilir ti je thjesht Komandant i LSI-së, sepse Shqipëria nuk është në luftë dhe në kohë paqe Forcat e Armatosura nuk janë nën komandën e Presidentit të Republikës, i cili sipas Kushtetutës nuk komandon asgjë dhe askënd, po mishëron unitetin kombëtar dhe jo dasinë, sherrin, degradimin!”, iu përgjigj Rama./h.e