Në përgjigjen që i kthen kreut të Komisionit të Ligjeve në lidhje me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta ka thënë se këto nisma të parlamentit nuk ndihmojnë zgjidhjen e krizës politike në vend.
Në përgjigje në mes të tjerave, presidenti Meta e cilëson “proces të rremë dhe verbërisht politik” nismën e Parlamentit për rrëzimin e dekretit dhe shkarkimin e tij, duke nënvizuar se legjislativi nuk po e rrëzon dot përmbajtjen e dekretit.
“E gjitha veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidenti të Republikës, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumentet kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht.”
Më tej, presidenti shprehet: “Ky proces i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës, prej kohësh po i kërkon palëve.”
Kujtojmë se Kuvendi ka nisur të shqyrtojë nismën e 55 deputetëve për shkarkimin e kreut të shtetit. Kjo pasi, sipas tyre, vendimi i presidentit për të shtyrë zgjedhjet, është antikushtetues.
Ndërsa Presidenti, nga ana tjetër, ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e parlamentit, pasi është shprehur se është zgjedhur në detyre nga një parlament legjitim dhe jo si ky i tanishmi. Meta, gjithashtu, ka kërkuar informacion nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve për numrin aktual të deputetëve dhe procedurën e zëvendësimit të mandateve.