Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “Tempora” ka paralajmëruar hapur se do të hapë sipas tij të gjitha letrat dhe korrenspondencat që ai disponon me disa ambasadorë të huaj në Tiranë, në mënyrë që sipas tij qytetarët shqiptarë të kuptojnë kush gënjen në raport me reformën në drejtësi.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Zoti Meta, kur unë ju pyeta se kur nisi ‘Ramaformë”, ju thatë se nis që me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ose në vitin e parë jashtëkushtetues.
Presidenti Meta: Duhet të kemi parasysh dy gjëra, që të jemi shumë të sinqertë! Përpjekjet që kjo të ishte “Ramaformë” ishin që para konsensusit.
Gazetarja: Më thoni, më konkretisht!
Presidenti Meta: Konsensusi u vonua, sepse kjo nuk duhet të ishte miratuar më 21-22 korrik. Duhet të ishte miratuar që katër-pesë muaj më parë, që kur erdhën rekomandimet përfundimtare të Komisionit të Venecias.
Gazetarja: Pra shtyrjen ju e shikoni si një përpjekje për ta kthyer reformën në një “Ramaformë”?
Presidenti Meta: Shtyrja ishte një lojë që gjoja këta po lodheshin shumë; vinin te unë, shkonin te Rama. Ky përpiqej shumë që Lulzimi me Saliun do votonin drejtësinë, andej këndej. Një rrëmujë e paparë dhe nuk po merrej vesh se ç’po ndodhte këtu. Kur gjëja ishte shumë e thjeshtë. Unë e kisha thënë gjithmonë: Hajdeni të mblidhemi ne këtu! Se në Kuvend do të miratohet, te zyra ime! Të vijë këtu edhe Lulzimi! Të vijë këtu edhe Saliu! Të vijë këtu edhe Edi! Ja edhe ambasadorët ku i kemi këtu! Rekomandime e Komisionit të Venecias ne i kemi të qarta se si janë apo jo? Dhe ta zgjidhim këtë punë! Nuk kemi përse ta shtyjmë kaq shumë. Këta shty e shty në mënyrë që të vendosesh Kuvendi dhe shumë deputetë në njëlloj presioni. E duan, s’e duan reformën! Do të marrin viza apo jo!
Gazetarja: Ne i dimë edhe “sms-të” e ambasadës amerikane të dërguara në adresë të deputetëve të veçantë. Kanë qenë të qarta.
Presidenti Meta: Ndërkohë që mesazhi ka qenë mjaft i qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë të posaçme nga Ndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit për Laë Enforcement, për Çështjet e Ligjit, që financon edhe OPDAT-in këtu, ambasadori Bronfild, që reforma të miratohet brenda korrikut. Dhe të miratohet me konsensus dhe vetëm me konsensus se ky është qëllimi. Të bëjmë një drejtësi të pavarur, etj. Këtu ju e dini se çfarë ndodhte dhe kjo bëhej që “Ramaforma” të bëhej me kushtetutë “Ramaformë”. Ajo është sot “Ramaformë”, por është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta është këtu dhe ngelet këtu.
Gazetarja: Dje ju besoj se keni dëgjuar deklaratat e përfaqësuesve të rëndësishëm: të zotit Soreca, të zonjës Calavera, të së Ngarkuarës me Punë të ambasadës amerikane në Tiranë. Zoti Soreca ka kujtuar 42 milionë Eurot e hedhura për realizimin e reformës. Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e ka cilësuar një reformë të suksesshme deri në momentin që ka arritur dhe duhet çuar edhe më tej, patjetër. Dhe e Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, madje është shprehur se ekzaktësisht fakti që ka pasur këto probleme, dhe këto vonesë, si dhe mungesë të kuorumit të gjykatave në Shqipëri, edhe asaj Kushtetuese dhe të Lartë, tregon në vetvete se vettingu funksionoi dhe ishte i domosdoshëm. Pra ne nuk shohim asnjë rast nga përfaqësues të Bashkimit Europian, nga ONM-ja, nga amabsada amerikane, që të kenë këtë shqetësim që keni edhe ju, zoti President.
Presidenti Meta: Është çështje e tyre. Unë lexoj raportet e Departamentit të Shtetit edhe për çështjen e korrupsionit në Shqipëri, edhe për çështjen e krimit të organizuar, edhe për çështjen e drogës, e kështu me radhë. Shikoj edhe raportet e komisioneve europiane. Në rast se situata do të ishte kaq e suksesshme, të jeni të sigurt se ne do të na ishin hapur negociatat para një viti, para dy vitesh. Shpesh sot shumë njerëz thonë: Po ku shkoi ajo Kushtetuta që u bë me konsensus? Të paktën, unë them, të paktën, një rekomandim pozitiv për të çelur negociatat, kjo Kushtetutë ia dha Shqipërisë më 7 nëntor! Sepse vetëm konsensusi për miratimin e reformës ia dha këtë rekomandim pozitiv Shqipërisë. Unë shpresoj që ky rekomandim të kthehet në një vendim më 17-18 tetor! Po kam shumë dyshime serioze nëse kjo gjë do të ndodhë në rast se nuk reflektohet në drejtim të respektimit të parimeve të sundimit të ligjit në vend dhe të rikthimit të vendit në shinat e demokracisë.
Përsa u takon ndërkombëtarëve: Këtë Kushtetutë ne me kë e bëmë? A e bëmë me Komisionin e Venecias?
Gazetarja: Po!
Presidenti Meta: A e bëmë me ambasadorin Lu? Dhe me OPDAT-in? A e bëmë me ambasadoren Vlahutin dhe me BE-në?
Gazetarja: Po, dhe u realizua!
Presidenti Meta: A e bëmë edhe me të gjithë opozitën?
Gazetarja: Po!
Presidenti Meta: Po zbatimin, jo me këtë Kushtetutë, por me atë Kushtetutën tjetër, kush e ka bërë? E ka bërë Presidenti apo ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta? E ka bërë opozita, se themi shpesh që i ka fajet opozita? Po a i dha votat e saj opozita për 140 votat? Sa janë votat e Partisë Socialiste në ato 140 votat më 21-22 korrik? 64, 65 vota janë! Votat e tjera ishin PD, LSI dhe partitë e tjera të opozitës. Përgjatë këtyre tre viteve si u zbatua kjo Kushtetutë? Nga 140 vota si përfundoi Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, që nuk ekziston në Kushtetutë, me 69 vota? Kur u ndërtua një proces për të thënë: Ore ne do të zgjedhim një Prokuror të Përgjithshëm, qoftë edhe të përkohshëm sipas frymës dhe standardeve të Kushtetutës, e cila e bën të qartë që nukmund të zgjidhet kurrë pa 84 vota? Si mundesh që përmes një ligji, të rrëzosh Kushtetutën?! Edhe më analfabeti në fushën e drejtësisë…
Gazetarja: Si e shpjegoni që quhet histori suksesi zoti Meta nga këta përfaqësues, të cilët kanë bashkëpunuar në realizimin e reformës në drejtësi? A nuk është ky një argument edhe për kryeministrin Rama për të thënë që kjo nuk është “Ramaformë”, por është reformë që mbështetet nga institucionet më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian?
Presidenti Meta: Ua thashë edhe më parë: Në rast se situata do të kishte ecur kaq mirë, do të ishin çelur që vjet. Në rast se gjërat po ecin kaq mirë sa ç’thoni ju, shpresoj…
Gazetarja: Po në rast se ngrihet SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në shtator apo tetor, edhemund të hapen.
Presidenti Meta: …shpresojmë të na zgjidhet kjo çështje më 17-18 tetor dhe e uroj shumë! Meqë erdhëm te SPAK-u, mendoj që të jemi pak më të përgjegjshëm kur flasim në raport me qytetarët shqiptarë, sepse dëgjova para pak ditësh se në shtator do të fillojë SPAK-u dhe do t’ia nisë me çështje të nxehta. Gjëra që për mua nuk mund të thuhen kurrë, sepse këto histori na kujtojnë ato të ish-prokurorit të Përgjithshëm, që…
Gazetarja: Zoti Ibrahimi, në një intervistë me “Deutsche Ëelle-n” deklaroi që do ta fillojë me çështje të nxehta duke përmendur çështjen e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Presidenti Meta: …Kjo është një histori që le të vazhdojnë të merren me të gjitha çështjet…
Gazetarja: Është kreu i KLP-së, i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Presidenti Meta: … ajo që dua t’ju them është kjo gjë: Të mos kemi mungesë respekti për qytetarët shqiptarë! U tha që sa të ikë Adriatik Llalla, do të fillojnë çështjet e nxehta. Nuk ka çështje më të nxehtë se sa ajo e Unazës së Re! Pse? Sepse është ai popull atje që unë i kam parë të gjitha letrat, edhe pse institucionet e kanë me detyrim kushtetues, me një nen të Kushtetutës, që Presidentit të Republikës t’i japin çdo informacion që kërkon, por edheme aq sa kam parë, është një genocid në raport me të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përveç që është një korrupsion i pacipë dhe i shfrenuar ku për fat të keq, kanë implikuar edhe një institucion amerikan, Departamentin e Delaëare-it, siç e dini ju, etj., etj. Nuk ka çështje më të nxehtë për atë. Nuk kemi se çfarë presim!
Gazetarja: Nuk e paragjykojmë dot. SPAK-u mund ta nisë me atë.
Presidenti Meta: Nuk po them unë se me çfarë ta nisë. Nuk jap unë orientime se me çfarë ta nisë. Unë përgjigjem për Kushtetutën e Shqipërisë. Kur thuhej sa të ikë ky, do të bëhet nami. Tani themi sa të bëhet kjo. Gjërat janë të qarta: Prokurori i Përgjithshëm, që u zgjodh me 69 vota, u zgjodh që në bazë të veprimeve që do të bënte, pra të njëanshme për fat të keq, dhe ju e dini se sa kontestime ka pasur edhe për KLP-në, madje edhe ka, se nuk dua të hyj në çështje më të thella, të krijojë një KLP. Po SPAK-u nga do të dalë? Të krijohet nga kjo KLP. Pra nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Shikojeni me logjikë këtë gjë! Shpresojmë që të bëjë mrekullira! Këtu do të jemi.
Gazetarja: Ai do të ngrihet. Në shtator, tetor është i përfunduar.
Presidenti Meta: Duhet të ishte ngritur me kohë.