Shqipëria përkujtoi demonstratat studentore në vitin 1990, të cilat çuan në fundin e komunizmit, një ditë e cila është një festë publike si Dita Kombëtare e Rinisë. Drejtuesit kryesorë politikë të saj e shënuan në forma të ndryshme dhe u ndanë, e disa prej tyre bënë homazhe pranë monumentit të Azem Hajdarit të konsideruar si hero i demokracisë.
Me këtë rast, Presidenti Ilir Meta bëri homazhe të mërkurën pranë shtatores së Azem Hajdarit, në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti, në Tiranë.
“Ishte obligim të isha sot këtu në këtë vend të Qytetit Studenti, sheshin e demokracisë, ku për herë të parë në Shqipëri tingëlluan thirrjet për ‘liri-demokraci’, bashkë me moton: ‘Duam Shqipërinë si të gjithë. Europa!” “Jam këtu për të nderuar lëvizjen studentore, në veçanti liderin e paharruar, heroin e demokracisë, Azem Hajdari, i cili luajti një rol kyç, vullkanik në ato momente kritike të historisë së Shqipërisë, por edhe të gjithë studentët e tjerë. “tha presidenti.
Meta vuri në dukje se “ne duhet të garantojmë të ardhmen europiane të vendit tonë, larg çdo pyetjeje dhe justifikimi boshe”.
I pyetur për zhvillimet në PD, Meta tha se “Unë nuk jam këtu për t’u marrë me çështje të tilla, por është e rëndësishme që liria, demokracia, pluralizmi politik të kthehen në rrugën e duhur, bashkë me të ardhmen europiane”.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama uroi ditën e Rinisë, ndërsa kujtoi se në vitin 2022 Tirana do të jetë kryeqyteti europian i rinisë. “Mirëmëngjes dhe me ditën që mbetet e re çdo vit, 8 Dhjetorin, që i kushtohet vetëm të rinjve, dhe me Tiranën që në 2022 do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, ju uroj një ditë të bukur”, tha Rama. ndërsa shpërndanë një video promovuese në rrjetet sociale.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një postim në rrjetet sociale tha se 8 dhjetori i vitit 1990 ishte dita që ndau të shkuarën nga e ardhmja dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë.
“31 vite më vonë, thirrja për Shqipërinë si gjithë Europa mbetet një sfidë për të përmbushur trashëgiminë e të rinjve dhe të rejave që u sakrifikuan për lirinë dhe demokracinë”, tha Basha, duke fajësuar diktaturën e re që po varfëron rininë, po i bën ata të largohen nga Vendi.
Në një aktivitet më vete kryedemokrati Sali Berisha bëri homazhe në monumentin e Azem Hajdarit ku u zotua se po vjen momenti i rithemelimit të PD-së.
“Sot kanë përfunduar llogaritë e Edi Ramës se duke marrë peng Lulzim Bashën mund të marrë peng idealet e PD-së dhe të shqiptarëve. Sot vijmë në një dhjetor të ri, të idealeve më të larta, më të vendosur se kurrë. Do të rivendosim partia e dhjetorit ’90, partia e rinisë dhe studentëve, partia e lirisë së shqiptarëve, e votës së lirë”, tha ai, duke shtuar se aktiviteti do të mbahet në arenën AirAlbania.
Më 11 dhjetor, Berisha dhe mbështetësit e tij do të mbajnë Asamblenë Kombëtare të PD-së, ndërsa kreu aktual Basha do të mbajë Kuvendin e tij më 18 dhjetor./ Argumentum.al