Realpolitik “ Flash” No. 47
01 – 16 QERSHOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. JORGJI KOTE
- Midis tre zjarresh ndodhet aktualisht “Ballkani i Hapur”. Kjo u pa qartë dhe në Samitin e Ohrit më 8 Qershor. Nga njera anë Procesi i Berlinit dhe nga tjetra “Tregu i Përbashkët Rajonal”. Të dyja të iniciuara dhe mbështetura politikisht dhe financiarisht nga BE dhe SHBA-të. Vetë “ Ballkani i Hapur” ka mbetur gjysmak, ndonëse u mundua t’i jepte pak oksigjen politik Abazovici. Gjithandej shtrohet pyetja pse na duhet një nismë tjetër kur “ na del e tepëron” Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët” me njësitë e tyre të njohura – CEFTA, RCC-ja, Komuniteti Energjitik dhe i Transportit Rajonal! Ca më tepër kur përditë dalin fakte që e dëshmojnë Ballkanin e Hapur si nismë serbe me mbështetjen ruse. E tha këtë me gojën e tij vetë Lavrovi, por disa nuk duan ta dëgjojnë. Kësaj i thonë “ i zoti e shet, tellalli se jep”!
Vatra e tretë e “ Zjarrit” është Kosova, e cila me shumë të drejtë e refuzon kategorikisht këtë nismë. Me argumentat e sipërpërmendura dhe kërkesën e drejtë të Kryeministrit Kurti që “ përpara se Serbia të hapë Ballkanin, ajo duhet të hapet para Kosvoës” Ndaj, boll më me propagandë, nëse Serbia e do vërtet Ballkanin e Hapur, le ta njohë genocidin ndaj Kosovës, ta njohë atë si shtet, të heqë dorë nga fushata e çnjohjeve dhe pengimi i antarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, TANI! Ja pse, Ballkani i Hapur ndodhet jo midis dy, por tri zjarresh. Se si do t’i “shuajnë këto zjarre”, këtë e dinë ata të Ballkanit të Hapur; por le ta themi shqip dhe kjo duket sheshit se Ballkani i Hapur “ ka lemun i dekun”
2. 2 ditë, 5 shtete, 15 probleme ishte me pak fjalë vizita e Kancelarit gjerman Olaf Scholz në Prishtinë, Beograd, Shkup dhe Sofje. Shumë e ngjeshur me 15 megatema të vështira për arritje të menjëhershme, ku spikatin: dialogu Prishtinë – Beograd dhe njohja e Kosovës nga Beogradi, si si kusht antarësimi në BE, liberalizimi i vizave me Kosovën, linjëzimi i Serbisë me BE-në lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, çbllokimi i vetos bullgare për çeljen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën dhe rijetësimi i Procesit të Berlinit.
Këtë të fundit e ai trajtoi dhe në Darkën me liderët e rajonit gjatë Samitit të SEECP-së në Selanik. Tema tejet të vështira, natyrisht pa pretendime për zgjidhjen e tyre me “ shkopin magjik” për të cilën janë angazhuar SHBA-ë dhe BE-ja. Por, gjithsesi me sinjale pozitive për mbështetjen gjermane në këto procese.
3. Të shtrëngojmë radhët! Ky ishte në fakt, objektivi i vizitës së Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel më 14/15 Qershor në Prishtinë, Beograd, Shkup dhe prania e tij në Samitin e SEECP_së në Selanik më 10 qershor. Fjala është për vizionin e ri që ai shpalosi më parë dhe në Tiranë për “ Komunitetin e ri gjeopolitik Europian”, identitik me idenë e Presidentit Macron, por me një “ gjeo” më shumë. Një ide që ka krijuar shumë telashe, debate, dyshime, hamendësime dhe zhgënjime në Ballkanin Perendimor, në Ukrainë dhe gjetkë. Por, tashmë kjo është vendosur,pavarësisht nga nuancat dhe ndryshimet që do t’i bëhen në formulime, një art i vërtetë ky për BE-në; sepse prapaa saj janë Franca dhe vende të tjera me peshë! Tani çështja është që në Samitin e BE-së më 23/24 Qershor, ku do të jenë të ftuar dhe 6 liderët e rajonit, prej tyre të mos ketë rezistencë, por vetëm “të shtrëngojnë radhët” dhe të pozicionohen qartë në favour të kësaj nisme. Ajo do të na lerë praktikisht në rrethin e dytë apo të tretë të BE-së, me shumë përfitime, me “kulaç” kur gjërat të ecin mirë, por dhe sanksione, pra me “kërbaç” anasjelltas. Ndërsa antarësimi, siç duken bathët” dhe ashtu sikundër kemi shkruar më parë, do të shtyhet vërtet në kalenda greke.
4. Çfarë mbeti nga Samiti i SEECP-së? Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore ( SEECP) u zhvillua në Selanik më 10 Qershor, me rastin e dorëzimit të kryesisë greke te Mali i Zi për vitin 2022-2023. SEECP u krijua më 1996 në Sofje. Ajo është “ ombrella “ politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) që drejtohet nga Majlinda Bregu. Në fakt, pas antarësimit të 11 vendeve ish lindore në BE dhe NATO, roli i SEECP ka rënë, aq sa rrallë i dëgjohet dhe emri. Këtë radhë, atë e lanë dhe më shumë në hije problematikat e nxehta rajonale që u përmendën më sipër. Atmosferën e tij e rënduan më tepër kërcënimet e Erdoganit ndaj Greqisë në prag të saj. Kësisoj, jehona e tij ishte pothuajse NUL. Dhe thirja e Mitsotakis për antarësimin e vendeve të rajonit në BE më 2033 u konsiderua thjesht dëshirë e mirë greke, por aq! Ca më tepër se siç e përmendëm pak më lart, pas 24 Qershorit nuk do flitet më për negociata dhe antarësim, por për përkatësi europiane.
E, sikur të mos mjaftonin këto tersllëqe, Greqisë “ ia vodhi” dhe atë pak sukses jehona e dy incidenteve alla shqiptare. Fotot e Presidentes Osmani dhe ato të Edi Ramës, dëshmi e marrëdhënieve jo normale ndërmet liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Por më seriozi ishte incidenti diplomatik i Kryeministrit Rama kur gjatë prezantimit të Kancelarit Scholz me homologun maqedonas nga mikpritësi Mitotakis, kundër çdo protokolli elementar diplomatik, Rama e paraqiti Kovaçevsin si “kryeministër të Bullgarisë Perendimore”!
E pajustifikueshme dhe ofenduese kjo “shaka pa kripë” për të Zotin e shtëpisë, Kovaçevskin, Petkovin dhe vetë Scholz. Sqarojmë se asnjë lider tjetër perendimor dhe në aktivitetet më të thjeshta, le më raste të tilla nuk përdor kunja, thumba, batuta dhe ironi, sepse ato prishin atmosferën dhe krijojnë dyshime te të pranishmit. Le të mësojnë liderët tanë dhe në këtë aspekt nga Macron, Draghi, Scholz, Merkel, Sanchez dhe Mitsotakis; që të mos bëjnë më sjellje të tilla politike që janë shpallur me kohë “ non – grata”
5. Tre të mëdhenjtë europianë në Kiev! Më 16 Qershor, Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministri Draghi vizituan Kievin. Vizitë historike nga liderët e tri vendeve më të mëdha dhe bashkëthemeluese të BE-së, me shumë angazhime, pritshmëri dhe mesazhe për Ukrainën dhe Rusinë.
Demonstrim real i unitetit europian përkrah SHBA-ve! Efektet e tij do të shihen brenda muajit në Samitin e BE-së dhe të NATO-s.
© 2022 Argumentum