Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë princit saudit të kurorës, Mohammed Bin Salman që të marrë masat që ata që vranë gazetarin Jamal Khashoggi të vihen para përgjegjësisë për krimin.
“Ne do të vazhdojmë të flasim me princin e kurorës dhe sauditët për t’u siguruar që përgjegjësia të jetë e plotë përsa i takon vrasjes së papranueshme të Jamal Khashoggit”, tha zoti Pompeo të dielën pas një takimi me Ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Gazetari Khashoggi u vra brenda konsullatës saudite në Stamboll të Turqisë në tetor. Në fillim Arabia Saudite tha se ai kishte dalë shëndoshë e mirë nga konsullata, por më pas pranoi se ai ishte vrarë në një operacion që kishte dalë jashtë kontrollit.
Turqia tha se urdhri për vrasjen e tij kishte ardhur nga nivelet më të larta të qeverisë saudite por zyrtarët sauditë këmbëngulin se nuk ishte urdhëruar nga princi i kurorës.
Sekretari Pompeo po shkon në Riad pas takimeve në kryeqytetin e Katarit, Doha pas vizitave në Jordani, Irak, Egjipt, Bahrain dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në një tur njëjavor në Lindjen e Mesme./voa