Kosova mungoi në samitin e Ohrit, ndërsa Albin Kurti, fituesi i zgjedhjeve në Kosovë deklaroi në Report Tv se përpara se të marrë një vendim do ta diskutojë me qeverinë dhe grupet e interesit, biznesin. Ai foli edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kur tha se uron që ta ketë bërë një gjë të tillë në Shqipëri. Samitin e Ohrit ai e cilësoi si të ngutshme, ndërsa u shpreh edhe njëherë se marrëdhënia me Kosovën do të jetë bazuar në reciprocitet.
Kreu i Vetëvendosjes rrëfeu edhe njëherë se cfarë bisedoi me kryeministrin Edi Rama pak javë më parë në Tiranë. Ai tha se Rama nuk është për shkëmbim territoresh. “Karshi Beogradit nuk duhet të ketë një politikë Tirana dhe një politikë Prishtina. Ashtu si me Greqinë, nuk mund të kem unë një politikë ndaj Athinës pa u konsultuar me Tiranën. Kemi diskutuar shumë gjatë për cështje ekonomike dhe Rama u mundua që të më tregojë mua një mori të vështirësive që ka hasur kur erdhi si kryeministër shumë gjëra që ka menduar ti bëjë, disa i ka bërë disa janë vonuar dhe vështirësitë që ka hasur me administratën, por edhe profesionalizmi dhe punës që ndoshta jo pak mungon tek ne.
Unë mendoj se është për të përshëndetur ai qëndrimi i tij se nuk është për shkëmbimin territorial, meqenëse se kishte diku nga 14 muaj që nuk ishim takuar dhe padyshim se mendoj se ai projekt i dështuar nuk duhet të vijojë që të mbetet as ide. Unë dua që Serbia një ditë të integrohet në BE, populli serb e do BE-në, por shteti serb jo, unë e njoh historinë e Serbisë. Në Serbi kanë vrarë shumë lidera, por atje nuk i ka vrarë populli, por shteti. Ky është dallimi me ne, se këtu e ka vrarë populli. Vucic duhet të gjejë një partneritet me popullin serb kundër shtetit serb, por nuk jam i bindur se e ka këtë kurajo. Ndonjë edhe përkëdheljet në rajon dhe faktori ndërkombëtar nuk e ndihmojnë për këtë” tha ai.
Albin Kurti u shpreh se Shengeni Ballkanik është një kurs i rrezikshëm duke aluduar për synimet e fshehta të Serbisë. Ai kërkoi nga Edi Rama që të mos nxitohet, ndërsa u shpreh se Tirana dhe Prishtina përpara se të marrin pjesë në samite duhet të konsultohen.
“Në gërmallat e Jugosllavisë së dytë, Milloshevici ngriti të tretën që ishte gjenocidale, Vucic i përket asaj klike që erdhi në pushtet pas Milloshevicit, që të jetë më ekstrem se ai dhe nuk kam dyshim që synon Jugosllavinë e katërt me synim zgjerimin e saj. Unë besoj se Kosova dhe Shqipëria nuk besoj se do të bashkohen nëse këtë e shohin përmes platformave rajonale.
Ky është një kurs i rrezikshëm që nuk mund të ketë miratimin tonë. Nuk jam kundër nismave rajonale, por jo para bashkëpunimit me Shqipërinë. Të heqim njëherë barrierat me Shqipërinë pastaj me Serbinë. Rama duhet të bashkëpunojë më shumë me Malin e Zi dhe Maqedoninë para Beogradit. Te mbledhja e Ohrit, i vetmi nga Bosnja që e mbështeti ishte ministri nga Serbia. Tirana nuk duhet të ngutet, nuk duhet të nxitohet.
Kur janë qëllimet e mira, gabimet nuk janë të përjashtuara. Tirana e njeh më mirë se ne Italinë dhe Greqinë, ndërsa ne veriun dhe lindjen. Nuk ma ka marrë mendja se do të mbahet mbledhja e Ohrit pa Kosovën, pas asaj që ndodhi në Serbi. Për mua ishte e befasishme, që u mbajt pa u konsultuar edhe të tjerët. As Tirana dhe as Prishtina nuk bën të shkojnë në nisma rajonale pa folur më parë. Ne mund ta zëvendësojmë njëra tjetrën, por jo të guxojmë të kemi dy politika të jashtme‘ tha ai./Report tv/