Shqipëria mirëpriti Ministerialin Digjital të Ballkanit Perëndimor si eventi përmbyllës i Samitit të tretë Digjital.
Duke përshëndetur sot punimet e këtij samiti, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “kjo është një nismë e cila realizohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit Shumëvjeçar të Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike (MAP REA) për Ballkanin Perëndimor”.
Kryeministri kërkoi angazhim rajonal për një axhendë të përbashkët digjitale, sipas praktikave më të mira të Tregut të Vetëm Digjital të BE-së, për t’iu dhënë më tepër mundësi dhe lehtësira qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe sipërmarrjeve.
“Gjatë këtyre kohëve dhe gjatë këtyre ditëve është bërë mjaft e qartë se ky samit digjital nuk është thjesht një samit si gjithë të tjerët dhe një eveniment në kalendarin tonë, por është pjesë e një procesi të vazhdueshëm e të pandalshëm që përqendrohet te ndërlidhja mes qytetarëve tanë e vendeve tona”, tha Rama.
Ai theksoi se “tani që flasim jetojmë në një moment përcaktues për të ardhmen tonë në shumë aspekte, por nuk ka dyshim që aspekti dixhital është absolutisht njëri prej aspekteve kyçe të rrugës sonë për të ecur përpara”.
“Shoqëria dixhitale është sfida më e madhe e këtij shekulli dhe po kështu është edhe instrumenti më i jashtëzakonshëm për të ngritur një mjedis ku njerëzit të mund të jetojnë në një hapësirë të ndryshme të lirisë, përgjegjësisë e barazisë. I jam mirënjohës qeverisë gjermane e cila ishte e gatshme ta ndihmonte këtë samit qoftë në fazën përgatitore e po kështu gjatë seancave të punës. Shumë gjëra do të vijnë si rezultat i angazhimeve që janë ndërmarrë në këtë rast sidomos dy memorandumet e mirëkuptimit, të cilat do të nënshkruhen njëri për transformimin dixhital 5G të rajonit e tjetri për ndërlidhjen e rajonit me shërbime të besuar në Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.
Rama tha se “këto nuk janë thjesht dy memorandume mirëkuptimi por janë dy angazhime të mëdha për të gjithë ne të cilat përcaktojnë shumë të ardhmen tonë të përbashkët”.
Sipas tij “bashkëpunimi dixhital është pjesë e pandashme e paketës së procesit të Berlinit”.
“Pas shpalljes së Axhendës Dixhitale të BE-së dhe në kuadër të pandemisë ky bashkëpunim duket se është edhe më i rëndësishëm e jetik për të gjithë ne. Të dyja këto samite dixhitale janë pjesë e procesit të Berlinit e kontribuojnë për ngushtimin e hendeqeve që ka në Ballkanin Perëndimor e po ashtu edhe për forcimin e lidhjeve tona për të arritur standardet e BE-së, jo vetëm individualisht por kolektivisht për t’u siguruar që ky rajon të bëhet një vend ku zbatohen 4 liritë e Europës pa pritur të jemi pjesë e BE-së”, shtoi Rama.
“Nuk ka dyshim se kemi mjaft probleme që duhen trajtuar e zgjidhur, por është absolutisht e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përqafuar këtë sfidë dhe po punojnë për të ndikuar individualisht sa më shumë të jetë e mundur në një mënyrë pozitive në vizionin e përbashkët për të zbatuar me gjithë vështirësitë e kuptueshme, një treg të vetëm brenda rajonit”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk ka qenë e lehtë por sot kemi edhe një dakordësi më të madhe për Shengenin rajonal dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. “Finalizimi i procesit për të hequr tarifat roaming duhet të jetë pjesë e objektivit tonë dhe gjithçka drejt së cilës duhet të punojmë ditë pas dite. Ajo që ka ndodhur me ndryshimin progresiv të tarifave të roaming dhe rregullimin e tregjeve celulare të roaming është një zbulim se sa shumë ne mund dhe duhet të bëjmë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “asnjë gjë nuk na ndalon ta shndërrojmë këtë cep të Europës në një qendër të shërbimeve dixhitale e infrastrukturës elektronike”.
“Mbështetur në memorandumin e mirëkuptimit për rrjetin 5G ne mund të ecim shpejt përpara. Koordinimi për të zbatuar teknologjinë e pastër dhe të sigurt 5G, duke përgatitur po kështu edhe marrëveshjet ndër rajonale si një reflektim i domosdoshëm për të unifikuar licencat, do të jetë një hap shumë i madh”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te revolucioni dixhital në Shqipëri, ku theksoi se “Shqipëria ka investuar shumë e me një intensitet të madh për të kapërcyer në një epojë tjetër sa u takon shërbimeve dixhitale për qytetarët”.
“Deri në fund të këtij viti, 95% e shërbimeve të shtetit do të jenë online, pa tarifë. Çdo qytetar mund t’i përfitojë këto shërbime duke kursyer kaq shumë kohë, vonesa e sasi të konsiderueshme parash që deri tani është shpenzuar për të përfituar këto shërbime. Nuk guxoj ta imagjinoj se çfarë do të mund të kishim bërë nëse pandemia do të na kishte goditur në një kohë tjetër, pa mundësi për t’i dhënë qytetarëve qajse online përmes e-Albania”, tha Rama./ata