Kryeministri Edi Rama këtë të premte ka mbajtur edhe fjalën e tij përmbyllëse Ministerialin e OSBE, pas zgjedhjes së krerëve ekzekutiv të kësaj organizate.
Rama ka thënë se edhe pse me një eksperiencë shumë të vogël në këto nivele të diplomacisë botërore vendosi objektiva të larta dhe ia doli me sukses.
“Gjithçka ishte kundër nesh, krizë përmbi krizë, por nuk hoqëm dorë. Pandemia COVID na pengoi rrugën, por ne ia dolëm Shqipëria mori më shumë përgjegjësi se çdo vend tjetër. Ky ishte një vit tejet sfidues por Shqipëria pati një debutim dinjitoz në krye të OSBE”, ka thënë Kryeministri.
Rama nëdër të tjera në fjalën e tij përmbyllese në krey të OSBE-së ka theksuar se Shqipëria do të jetë gjithmonë pjesë e trojkës.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i OSBE-së, deklaroi sot se “Shqipëria si kryesuese ia doli me sukses”, ndërsa shtoi se “nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022, dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm”.
“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ne donim t’i bënim gjërat mbarë këtë vit.
Vendi ynë nuk ka patur kurrë më parë një moment të tillë diplomatik si ky i sotmi këtu dhe nëse mund të arrijmë rezultate në OSBE, në mes të pandemisë me konflikte e kriza gjithë përreth, nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat edhe tjetërkund, edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022, dhe ky është objektiv i ynë i ardhshëm”, tha Rama, në fjalën përmbyllëse në ministerialin e OSBE-së pas zgjedhjes së krerëve ekzekutiv të OSBE-së.
Duke u ndalur te kryesia shqiptare e OSBE-së, Rama tha se “ne vendosëm qëllimet tona lart, sfiduam veten dhe nisëm këtë aventurë krejt sfiduese për një vend si i yni, i fundit i anëtarësuar në OSBE”.
“Vetëm pak kohë pas nisjes sonë ia behu pandemia. Na u desh të vazhdonim të bënim këtë punë që nënkuptonte kaq shumë në historinë e vendeve tona me botën e jashtme. Dikur ne ishim Koreja e Veriut e Europës dhe krejt papritur na u desh të udhëhiqnim përmes një pandemie një organizatë kaq të madhe botërore. Por ne ia dolëm dhe mundëm të shënojmë përparim. Një progres aspak i dukshëm për të gjithë. Negociuam rritjen e buxhetit për misionin e posaçëm të monitorimit në Ukrainë. Në korrik humbëm drejtuesit e OSBE-së, nuk kishte konsensus për të gjithë ekipin dhe Shqipërisë iu desh të merrte përsipër më tepër përgjegjësi se sa çdo kryesues më parë. Iu desh t’u jepte fuqi zëvendësve për të marrë situatën në dorë dhe ne vetë morëm situatën në dorë aty ku ishte e nevojshme”, tha Rama.
Kryeministri tha se “organizata jonë doli në pah në sytë e gjithkujt si adresa e vetme për të trajtuar shqetësimin e jashtëzakonshëm për shkeljen e neveritshme të vlerave e parimeve tona në Minsk”. “U përpoqëm të ndihmonim, por oferta jonë nuk u mor në konsideratë. Kjo situatë rajonale u ndoq nga një tjetër goditje, luftimet e ashpra në Karabak. Në këtë fazë gjithçka ishte kundër nesh. Krizë përmbi krizë, përmbi krizë, por ne nuk hoqëm dorë dhe nuk lamë asnjë gjë prej tyre që të na ndalte në punën tonë. Morëm përsipër gjithçka, treguam qëndrueshmërinë tonë, ambicien tonë dhe e bëmë këtë në mënyrën shqiptare, me zjarr, me këmbëngulje. Mësuam gjatë punës, por bëmë punën. Kundër të gjitha parashikimeve, ia dolëm”, tha Rama.
Ishte sukses, vijoi ai, “por është larg së qeni suksesi im”. “Ka një listë të gjatë njerëzish që duhen falënderuar për rolin që kanë luajtur. Ky duket se është Këshilli më produktiv ministror prej shumë vitesh e nuk shoh asnjë arsye pse të mos e pranojmë një gjë të tillë. Sapo kemi emëruar lidershipin e ri të OSBE-së që në fillim dukej thuajse një sipërmarrje e pamundur”, tha Rama.
Rama theksoi se “kemi caktuar po ashtu kryesinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 2023”. “Kryesia nuk është detyrë e lehtë, kështu që e vlerësoj vendosmërinë për ta marrë përsipër dhe për të treguar që vendet e Europës Juglindore kanë rritur ambiciet ndërkombëtare. A nuk është e shkëlqyer që Ballkani, që tradicionalisht ka qenë trazues, po angazhohet për t’i ftohur gjërat në një hapësirë kaq të madhe sa ajo që mbulon OSBE-ja? Është e jashtëzakonshme. Unë shpresoj që kjo po kështu do të ndihmojë që të ndryshojë njëherë e përgjithmonë mendësinë e disa kolegëve të vlerësuar, kolegë të BE-së, njerëz të shkëlqyer, miq, por që kanë disa mendime të errëta për ne, ballkanasit”, tha Rama.
Ai theksoi se “me këtë lidership të ri, dhe caktimin e kryesuesve pasardhës për 2021, 2022 dhe 2023, OSBE është kthyer fuqimisht në skenë me të gjitha opsionet”.
“Ky Këshill Ministror po kështu ka rënë dakord edhe për disa angazhime të reja për të luftuar krimin e organizuar transnacional, për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar torturën në rajonin e OSBE-së. Kemi arritur një përparim mjaft të nevojshëm në të trija dimensionet e sigurisë së OSBE-së. Kemi realizuar edhe ambicien tonë për të nxitur barazinë gjinore. Duke drejtuar një qeveri me një balancë të plotë gjinore, dhe në fakt renditet mes 5 të parave sipas Kombeve të Bashkuara, jam shumë krenar të lë shenjën e kryesisë sime me një sekretariat plotësisht të balancuar gjinor”, tha ai.
Rama sugjeroi se “OSBE duhet të angazhohet në një reformë që duhet ta përgatisë organizatën për kohërat sfiduese që na presin. Ka shumë gjëra që duhen mbajtur siç janë por ka shumë gjëra që duhen menduar e riformësuar në mekanizmat e kësaj strukture të jashtëzakonshme. Kërcënimet me të cilat përballemi janë shumë më të mëdha. Le të mos refuzojmë të shohim përtej për të gjetur mënyrën për të ndërtuar një bashkësi të re për tu përballur me sfida të përbashkëta”.
Kryeministri theksoi se “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s e lufton çdo ditë për t’u bërë anëtarë i BE-së, por asnjë gjë nuk e ndryshon mendjen tonë për punën e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së dhe zemrën tonë për të qenë të përkushtuar në marrëdhëniet me SHBA dhe BE dhe të harmonizuar me ta kur bëhet fjalë për politikën e jashtme”.
Përfaqësuesja e Suedisë, e cila merr kryesimin e radhës të OSBE-së, vlerësoi punën e Shqipërisë, e cila nuk la pas asnjë angazhim edhe pse ishim në situatë pandemie.
“Doja të falenderoja kryeministrin Rama për organizimin e këtij këshilli në një situata të pazakontë. Gjithashtu do doja ta falenderoj që e ka drejtuar OSBE në një prej viteve më sfiduese për një kryetar të radhës në historinë e organizatës sonë. Falë përpjekjeve të kryetarit të radhës Rama dhe ekipit të tij të gjitha angazhimet janë ndërmarrë dhe zbatuar pa asnjë ndërprerje gjatë pandemisë. Për mua si Kryetare e Grupit të Partneritetit të Mesdheut u bë e mundur që të organizoja dhe të zhvilloja një konferencë të suksesshme në nëntor dhe pse shpresojmë që vitin tjetër do të jetë Organizata që do të përfitojë nga zgjidhjet në kohë që pandemia do të vazhdojë të na ndikojë edhe në vitin 2021. Kjo është pjesë e trashëgimisë shqiptare mbi të cilën do të ndërtojmë edhe kur pandemia të jetë nën kontroll”, tha përfaqësuesja e Suedisë.