Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Shkup të mërkurën mbrëma, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Blinkeni ka marrë pjesë në darkën e punës të organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, i cili fillon më 30 nëntor dhe mbaron më 1 dhjetor.
Sipas burimeve diplomatike, Blinkeni do të largohet nga Maqedonia e Veriut pas darkës, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, do të arrijë në Shkup më vonë gjatë mbrëmjes së sotme.
Blinkeni ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik dhe punën për forcimin e institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
“Mbështesim fuqimisht punën që po bëni për diversifikimin më të madh të energjisë në rajon dhe më gjerë, e cila do të ketë një ndikim të madh në të gjithë këtë. SHBA-në mund ta llogaritni si një partnere të fortë dhe për këtë shkak jam këtu sonte, jo vetëm për OSBE-në, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për të treguar se sa e vlerësojmë partneritetin që kemi”, tha ai.
Ai, po ashtu, tha se i vjen mirë që Malta është zgjedhur si kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së më 2024.
“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.
Kryediplomati maqedonas Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së.
“Dua t’ju informoj se ne kemi zgjidhur sfidat kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024. Dua të falënderoj Maltën dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse për mbështetjen”, tha Osmani në fillim të takimit me Blinkenin.
Blinkeni u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili tha se kryediplomati amerikan “e përshëndeti kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut dhe qasjen e saj konstruktive në realizimin e agjendës dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet Organizata”.
Sekretari amerikan i Shtetit nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.
Pjesëmarrja e Lavrovit në këtë takim u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, apo 3 orë para dhe 72 orë pas datës së caktuar.
Burime nga OSBE-ja bënë me dije se delegacioni rus mund të ketë deri në 85 persona, përfshirë mjekun personal të ministrit të Jashtëm, zëvendësin e tij, Aleksandr Grushko, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, personelin e sigurisë dhe 24 gazetarë rusë.
Heqja e ndalesës për diplomatin rus, Sergei Lavrov, bëri që pjesëmarrjen në Këshillin Ministror të OSBE-së ta anulojnë ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.