Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe mbi qytetarët.
Ministri Balla, ndërsa ka ndarë pamje nga disa operacione policore të zhvilluara gjatë 24-orëve të fundit, tha se nuk mund të ketë individë më të fortë se sa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe mbi qytetarët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Gjetja dhe ndalimi i personave në kërkim nga drejtësia, lufta kundër armëmbajtjes pa leje, kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike janë detyra kryesore për Policinë e Shtetit”, tha Balla.
“Përgëzime Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasani, Berat dhe Komisariatit të Rinasit, për operacionet e fundit për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar për krime në fushën e narkotikëve dhe të grabitjes me dhunë”, përfundoi postimin e tij ministri Balla.