Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha priti sot në një takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, me të cilin diskutoi mbi hapat konkretë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.
Hoxha informoi se temë e diskutimeve ishte zbatimi i kontrollit të përbashkët kufitar dhe lehtësimi i regjimit të kalimit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë-Thanë- Kafasan.
Po ashtu, ministri theksoi se në takim u diskutua edhe mbi rehabilitimin dhe rikonstruksionin e PKK Bllatë-Spas dhe aplikimin e “One Stop Shop” edhe në këtë pikë.
“Folëm për ndryshimin dhe plotësimin e marrëveshjes dhe projekteve infrastrukturore për pikën e e përbashkët kufitare Xhepisht – Trebishtë me qëllim rritjen e numrit të banorëve përfitues për lehtësi në qarkullim, si dhe për menaxhimin dhe kontrollin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të vijës kufitare mes dy shteteve”, theksoi Hoxha.
Dy homologët diskutuan po ashtu për bashkëpunimin e vazhdueshëm për luftën kundër krimit të organizuar, si dhe parandalimin dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
“Diskutuam mundësinë e shkëmbimit të përvojave në reformat policore. Ndër të tjera, në takim shkëmbyem edhe pikëpamjet mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor. Shpreha bindjen tonë se, integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen është alternativa e vetme dhe më e mirë, për një demokraci të qëndrueshme dhe për më shumë siguri e stabilitet në rajon dhe në Evropë”, theksoi ministri Hoxha.
/Argumentum.al