Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë raportimit të tij në Komisionin Kundër Dezinformimit, ka ngritur shqetësimin në lidhje me rritjen e ndikimit të dezinformimit dhe propagandës ruse në Shqipëri. Ai ka theksuar se tashmë ekzistojnë portale që operojnë në gjuhën serbe dhe në gjuhën shqipe, të cilat janë të përfshira në përhapjen e propagandës ruse.
“90% e propagandës ruse dhe e këtyre fushatave bëhet në gjuhën serbe. Duhet theksuar fakti se Shqipëria është më pak e prekura dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe e satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit, vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon, i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe. Këto vazhdojnë të kenë një shikueshmëri dhe lexueshmëri të kufizuar dhe një numër të vogël klikimesh”, tha Hoxha.
Një situatët e tillë është një sfidë për sigurinë e vendeve demokratike e cila duhet parandaluar.
“Shqipëria si vend i ndërvarur nga zhvillimet ekonomike, rajonale e globale dhe duke qenë anëtar i NATO dhe kandidat për në BE, e konsideron aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si prioritet madhor me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, kohezionin social dhe garantimin e vazhdimësisë së të gjitha shërbimeve të sigurisë kombëtare”, tha Hoxha.
Ministri Hoxha nuk la pa përmendur edhe rastin e sulmit kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë ku tha se bashkëpunimi i menjëhershëm më ndërkombëtarët ndihmoi në minimizimin e dëmëve.
“Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”, tha ministri Hoxha.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit kundër dezinformimit, Erion Braçe, tha se shumë e vështirë që të identifikohet se kush qëndron pas këtyre portaleve.
“Jemi në dijeni të qartë të portaleve në gjuhën shqipe, por që kanë origjinë Rusinë dhe vende të tjera keqdashëse. Nuk ka instrument që të merret me portale që kanë origjinë ruse dhe që janë në gjuhën shqipe. Problem i madh mbetet dhe dezinformimi i brendshëm, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ata që thonë”, tha ai.
Rreth dy muaj më herët, kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri, deklaroi në një nga seancat e këtij komisioni se institucioni që drejton ka mbyllur 155 domene ruse. Ai theksoi se mbyllja e tyre lidhej kryesisht me qëndrime pro luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka prioritet aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride të Rusisë.
Kryetari i Komisionit kundër dezinformimit, Erion Braçe, theksoi se ka boshllëk ligjor për të adresuar problemin e dezinformimit dhe se nëse nuk adresohen mund të ketë ndikim në zgjedhje që pritet të mbahen pranverën e vitit që vjen.
“Jemi zbuluar, është shqetësim i madh. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë në boshllëk të plotë ligjor për të vepruar për ndërhyrjet e huaja që përdorin dezinformimin për të goditur institucionet apo për të krijuar ndarje të qartë në shoqëri. S’ka bazë ligjore për të vepruar në të tilla raste. Nëse ky boshllëk nuk përmbushet para zgjedhjeve do ketë probleme në financimin fushatave, por edhe sa i takon dizinformimit. Mjafton t’iu sjell rastin e Rumanisë”, theksoi Braçe.
/Argumentum.al