Shqipëria është zotuar ta ndihmojë Turqinë në luftën kundër organizatës terroriste FETO. Këtë garanci ministri i brendshëm turk Süleyman Soylu e mori gjatë takimit me homologun shqiptar Sandër Lleshaj. Disa herë Turqia ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e disa anëtarëve të dyshuar të ‘Lëvizjes Gylen’.
Duke folur për agjencinë shtetërore turke të lajmeve ‘Anadolly Agency “’, Soylu nënvizoi luftën e përbashkët kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë edhe FETO-n. Ai përshëndeti qasjen e qeverisë shqiptare, por pa specifikuar se çfarë premtimesh mori në Tiranë.
“Besoj se procesi në luftën kundër organizatës terroriste, qoftë në Shqipëri e qoftë në vende të tjera, do të rezultojë me sukses në favor të Turqisë. Vendosmëria jonë në këtë luftë qoftë brenda vendit e qoftë jashtë vendit do të vazhdojë ashtu siç ka qenë. U paraqit një qëndrim shumë konstruktiv. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjithë së bashku do të shohim rezultate të këtij qëndrimi konstruktiv,”-theksoi Soylu.
Kjo ndihmë e Shqipërisë sipas ministrit Soylu, lidhet dhe me miqësinë mes kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. “Miqësia të cilën Edi Rama ka krijuar me presidentin tonë Recep Tayyip Erdoğan, si dhe bashkëpunimi të cilin e zhvillojnë shkakton arritjen e një momentumi shumë të rëndësishëm”, u shpreh Soylu
Arrestimi dhe ekstradimi i anëtarëve të dyshuar të ‘Lëvizjes Gylen’ ka mbajtur peng edhe një sërë projektesh të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.
Në tetor të vitit 2018, presioni i qeverisë turke arriti nivele të reja, pasi gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu e vendosi vijën e kuqe tek të strehuarit e ‘Lëvizjes Gylen.
“Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Të njëjtën gjë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”, tha Çavuşoğlu në Tiranë.
Pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik 2016 në Turqi, mbi 50 mijë persona, sipas Amisty International, ndodhen në burg dhe po kaq ndiqen me masa më të lehta sigurie. Qeveria turke akuzon lëvizjen e krijuar nga kleriku Fetullah Gylen se qëndron pas tentativës për grusht shteti. Gylen i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar veprimet e qeverisë si “gjueti shtrigash”