Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq pretendon se shteti i Sierra Leones ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Siç shkruan Agjencia serbe e Lajmeve Tanjug, Ivica Daçiq po qëndron për vizitë zyrtare në këtë vend, nga ku kumtoi lajmin.
Daçiq deklaroi se kjo “tërheqje” e njohjes së Kosovës kishte një rëndësi të veçantë për Beogradin pasi Sierra Leone ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.
Në listën e njohjeve figuron se Sierra Leone është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pikërisht më 11 qershor të vitit 2008. Kështu më 2008 ai ishte bërë shteti i 43-të që kishte njohur Kosovën.
Republika e Sierra Leones, është një vend në bregdetin jug-perëndimor të Afrikës Perëndimore. Kufizohet nga Liberia në juglindje dhe Guinea në verilindje.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ende nuk ka ndonjë reagim nëse ky shtet vërtetë e ka tërhequr njohjen e Kosovës.
Ndryshe, për tërheqje të reja të njohjeve paralajmëroi dje edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili po qëndron në Washington.
Vuçiq u tha gazetarëve se Beogradi do të kërkojë çnjohjen e Kosovës, derisa njohja nga Serbia për Kosovën nuk do të ndodh.