Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.
Në deklaratën e përbashkët për mediet, Xhaçka tha se “patëm mundësinë të diskutojmë nga afër se si mund të zgjerojmë e thellojmë më tej marrëdhëniet mes vendeve tona, qoftë për sa i përket bashkëpunimit dypalësh, qoftë për sa i përket atij rajonal apo ndërkombëtar”.
“Ky takim, takimet e tjera që do të vijojnë gjatë kësaj vizite, por edhe kontaktet e vazhdueshme të të gjitha niveleve mes dy vendeve tona, janë shprehje e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për të zhvilluar në mënyrë intensive partneritetin tonë strategjik, në dimensionin politik, por edhe gjithë dimensionet e tjera, që ofron ky kuadër partneriteti. Si fillim pata kënaqësinë ta uroj kolegun Radman, për dy arritje të rëndësishme të Kroacisë gjatë këtij viti, siç ishin hyrja në Eurozonë dhe në Shengen. Ajo çfarë Kroacia ka arritur në vetëm një dekadë pas anëtarësimit në BE, jo thjesht na gëzon si fqinjë të mirë, por na inkurajon dhe na bën optimistë që puna dhe përpjekjet për kryerjen e reformave dhe arritjen e standardeve, shpërblehen”, – tha Xhaçka.
Po ashtu, Xhaçka vuri theksin te bashkëpunimi mes dy vendeve për sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ecuria e Kroacisë në procesin e integrimit evropian, suksesi i saj, natyrshëm bën që çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit të jenë në fokus të axhendës dypalëshe. Edhe sot, ne patëm rastin të bisedojmë gjerësisht për procesin e integrimit në BE dhe për ndihmën e këshillat që Kroacia mund të japë në këtë proces. Kolegu Radman më siguroi që Kroacia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE, jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete dhe më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pak kohë më parë Kryeministri Rama i ka kërkuar homologut të tij ndihmën e ekspertëve kroatë të integrimit, për ekipin tonë negociator. Por sigurisht, kjo është vetëm një nga çështjet mes nesh. Rritja e thellimi i bashkëpunimit tonë dypalësh, siç e përmenda edhe në krye të fjalës time, zunë vend të rëndësishëm në bisedën tonë. Ne konstatojmë me kënaqësi se në kuadër të partneritetit tonë strategjik, mes dy qeverive tona ekziston një dialog intensiv politik. Në zbatim të këtij dokumenti dhe të Planit të tij të Veprimit, diskutuam sot edhe për një numër aktivitetesh që mund dhe do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Ne kemi tashmë një praktikë shumë pozitive të organizimit të këtyre takimeve me disa nga vendet tona fqinje dhe jemi të mendimit se ato do t’í japin një dimension të ri, më të plotë bashkëpunimit tonë dypalësh në të gjitha fushat”, – tha Xhaçka.
Gjithashtu, Xhaçka vlerësoi bashkëpunimin ekonomik mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
“Për sa i përket bashkëpunimit konkret, ndërkohë që vlerësuam trendin rritës të shkëmbimeve ndamë mendimin që duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar. Për këtë arsye, sugjeruam mbajtjen e takimit të 6-të të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe të një Forumi Biznesi, në gjysmën e dytë të këtij viti mundësisht. Ne shprehëm interesimin tonë për të mirëpritur më shumë investime kroate dhe projekte në sektorë të tillë strategjikë, si energjia, turizmi, infrastruktura, etj. Ndërkohë që konstatuam nevojën për vendosjen e lidhjeve ajrore e detare ndërmjet vendeve tona dhe rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e projekteve me rëndësi strategjike, siç janë Autostrada Adriatiko-Joniane dhe Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, duke shfrytëzuar në këtë rast avantazhet që sjell Gazsjellësi TAP. Në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh, pata rastin edhe njëherë të falënderoj kolegun Radman, për ndihmën që Kroacia ofroi pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin tonë në vitin 2019, pjesë e së cilës është edhe shkolla 9-vjeçare dhe kopshti ‘Iliria’ në qytetin e Krujës, ndërtuar falë ndihmës kroate, të cilën Ministri do të ketë rastin ta inaugurojë gjatë vizitës së sotme”, u shpreh Xhaçka.
Gjithashtu, Xhaçka tha për sa i përket zhvillimet gjeopolitike në Evropë, Kroacia dhe Shqipëria ndajnë qëndrime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman shprehu mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, në një deklaratë të përbashkët me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka pas takimit dypalësh.
Ai e vuri theksin te marrëdhëniet e mira mes dy vendeve në fusha të ndryshme si siguria dhe çështje të stabilitetit.
“Ne jemi takuar shpesh në konferenca ndërkombëtare, në takime të ndryshme dhe të gjitha këto na kanë dhënë mundësinë për të shkëmbyer këndvështrimet tona për çështje të ndryshme në interes të përbashkët. Sigurisht, çështjet e stabilitetit, sigurisë, përfshirë sigurinë në fushën e energjisë, ndërlidhjes, infrastrukturën, dinamika rajonale, bashkëpunimin të gjitha këto janë në qendër të rrethanave aktuale gjeopolitike”, tha Grlic-Radman.
Ministri Gordan Grlic-Radman tha se sa i takon marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë, të dy aleate të NATO-s, gjithmonë ka pasur lidhje të shkëlqyera dhe të forta.
“Kroacia ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe mbetet aktive për të ndihmuar në të gjitha negociatat e anëtarësimit dhe që ato të ecin me një ritëm sa më të shpejtë dhe më të qetë që të jetë e mundur. Kroacia është gati që të ofrojë mbështetje politike dhe teknike për Shqipërinë për të realizuar transmetimin e të gjitha njohurive dhe përvojën e saj, pra për integrimin e Shqipërisë në BE”, theksoi ministri i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.
Po ashtu, ai theksoi se bashkëpunimi ekonomik mes Kroacisë dhe Shqipërisë është në rritje.
“Ne jemi shumë të kënaqur që bashkëpunimi ynë ekonomik është në një trend rritës dhe këmbimet tona tregtare në vitin 2022 u rritën me 56.5 %, por sigurisht mund të arrijmë shumë më tepër nëse forcojmë bashkëpunimin tonë. Deti Adriatik ka rëndësi mjaft të madhe për të dyja vendet tona, mbrojtja dhe parandalimi i ndotjes së Adriatikut dhe të gjitha zonave bregdetare kanë rëndësi strategjike. Gjithashtu ne besojmë se lidhjet më të mira në transport, pra infrastruktura rrugore, ajrore dhe detare do të rrisin më tej bashkëpunimin ekonomik dhe do t’i bëjnë njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin. Nëse do të realizojmë një linjë ajrore direkte midis Kroacisë dhe Shqipërisë do jetë akoma më mirë. Kam besim se vizita ime do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë”, tha ministri kroat Gordan Grlic-Radman.
Presidenti Begaj: “Kroacia mbetet një shembull shumë i mirë për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit”
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, u prit gjithashtu nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj,
Gjatë takimit, duke iu referuar marrëdhënieve shumë të mira e tradicionalisht miqësore dhe të partneritetit strategjik midis dy vendeve, Presidenti Begaj përshëndeti hyrjen e Kroacisë në hapësirën Schengen dhe në Eurozonë.
“Kroacia mbetet një shembull shumë i mirë për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal tek bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë në këtë drejtim. Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi se ekspertiza dhe njohuritë kroate në këtë drejtim janë shumë të vyera për ekipin negociator shqiptar, veçanërisht në këtë fazë të negociatave të aderimit në BE.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin shumë të ngushtë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se roli i Kroacisë për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit është shumë i rëndësishëm. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë si aleatë në NATO, si dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek efektet negative të prodhura për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të ngushtë në këtë drejtim për të minimizuar ndërhyrjen e aktorëve të tretë keqdashës.
Gjithashtu, nga të dy bashkëbiseduesit u vlerësuan mbështetjet reciproke të kandidaturave për në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.