Kryeministri e njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vizitoi sot nga afër ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një prej qendrave kryesore të prodhimeve ushtarake për Forcat tona të Armatosura si edhe për eksportin.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se kjo uzinë do të krijojë një front të ri punësimi në vend.
“Më vjen shumë mirë që sot këtu mund ta ndajmë me ju këtë lajm që në kuadrin e hapjes së një faqeje të re në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë ne nisim me investimet e para për krijimin e qendrave të prodhimit të industrisë ushtarake”, tha Rama.
Rama u shpreh se “këtë kompleks e kemi identifikuar si një nga pikat ku do të investohet dhe do të prodhohet për forcat tona të armatosura, por në masën më të madhe për eksport. Gjë që sigurisht do të thotë e para, një front i ri dhe kuptimplotë punësimi; e dyta, punësim cilësor, pasi këtu kërkohen një seri specialitetesh, ashtu sikundër edhe të gjitha kategoritë që nga puna e inxhinierëve, tek puna e teknikëve dhe tek puna e gjithë shërbimeve mbështetëse”, nënvizoi Rama, duke shtuar se do të jetë një punë e mirëpaguar.
E treta, vijoi Rama, shumë e rëndësishme edhe kjo, duke zhvilluar këtë industri ne nuk rrisim thjesht kapacitetet tona mbrojtëse, por rrisim në mënyrë të ndjeshme ekonominë tonë, ekonominë vendore dhe ekonominë kombëtare.
Ai vuri në dukje se do të vijojnë investimet për mbrojtjen si dhe rritja e pagave për ushtarakët.
“Dua t’ju shpjegoj me pak fjalë, edhe për ata që na ndjekin, se si e kemi konceptuar ne këtë zhvillim për të cilin faktikisht e kemi filluar punën qysh pas agresionit rus në Ukrainë. Kemi krijuar agjenci të posaçme për industrinë e mbrojtjes, kemi krijuar ndërmarrjen shtetërore dhe filozofia është që investimet në rritje për mbrojtjen, që janë investime që po i bëjnë të gjitha vendet dhe të cilat ne i kemi kanalizuar për disa gjëra themelore që mungonin, një prej të cilave kryesorja rritja shumë domethënëse e pagave të ushtarakëve tanë që ishin më të keqpaguar e gjitha rajonit, se në NATO nuk llogaritet fare, ndërkohë që sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajonin tonë”, tha Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “synojmë të rrisim pagat çdo vit për të arritur në mesataren e NATO-s dhe patjetër që kemi parë që kjo ka sjellë një rritje të interesit për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura”.
Ministri i Mbrojtjes: Ish-Uzinën e Bakrit në Rubik e kthejmë shtyllë kryesore të prodhimit ushtarak

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, tha sot nga Rubiku se ish-Uzinën e Përpunimit të Bakrit qeveria synon që ta kthejë në shtyllë kryesore të prodhimit ushtarak në vendin tonë.
Vengu tha se jemi shumë afër realizmit të objektivit që qeveria shqiptare ka vendosur për rijetësimin e industrisë ushtarake.
Sot ne jemi këtu mbas një punë disamujore mbas disa negociatave që janë ende në proces ku qendër e industrisë ushtarake në Rubik synon që ta kthejmë në një shtyllë kryesore të prodhimit ushtarak në vendin tonë dhe gjithë ky kompleks mbas një negociate komplekse, jemi shumë pranë afër realizmit të objektivit që qeveria shqiptare ka vendosur për rijetësimin e industrisë ushtarake në vendin tonë”, tha Vengu.
Vengu shtoi se ky kompleks do të krijojë vende të reja puna, ndërsa shtoi se synohet që të ngrihet një ekonomi e qëndrueshme ku industria ushtarake është një prej shtyllave kryesore të riindustrializimit të vendit.
“Ky kompleks i ri ushtarak do të krijojë disa përfitime, nuk janë vetëm përfitime të ekonomisë lokale, por edhe të logjistikës, shërbimeve mbështetëse që do të gravitojnë rreth këtij kompleksi. Kemi bërë një studim dhe na rezulton se një vend pune në industrinë ushtarake prodhon tre vende pune në industrinë civile mbështetëse. Ne nuk synojmë të riarmatosemi, por të ngremë një ekonomi të qëndrueshme ku industria ushtarake është një prej shtyllave kryesore të riindustrializimit të vendit”, tha Vengu.
/Argumentum.al