Ministri i ri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, një ditë pasi njoftoi shtyrjen e vizitës mes paralajmërimeve për trazira, raportuan mediat izraelite.
Sipas të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”, Ben-Gvir mbërriti në kompleks në një vizitë të papritur i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë.
Gazeta citoi Ben-Gvir të thoshte se qeveria e re e vendit e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu “nuk do t’i dorëzohet kërcënimeve të Hamasit”.
“Mali i Tempullit është vendi më i rëndësishëm për popullin e Izraelit dhe ne mbrojmë lirinë tonë të lëvizjes atje”, shtoi ai.
Al-Aksa për muslimanët paraqet vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, kësaj zone i referohen si Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ndodheshin dy tempuj hebrenj.
Të hënën vonë, Ben-Gvir shtyu vizitën në Al-Aksa, e cila ishte planifikuar për këtë javë pas një telefonate me Netanyahu-n, i cili sapo mori drejtimin e qeverisë pas zgjedhjeve në fillim të nëntorit.
Gjatë bisedës telefonike, Ben-Gvir thuhet se argumentoi se qeveria nuk duhet të dorëzohet ndaj kërcënimeve të Hamasit për një vizitë të tillë, duke shprehur synimin e tij për të shkuar në xhami në javët e ardhshme.
Transmetuesi publik izraelit KAN kishte raportuar më herët se zyra e Ben-Gvir njoftoi policinë për planet e tij për të vizituar pikën e nxehtë të martën ose të mërkurën.
Grupi palestinez Hamas, nga ana e tij, tha se do ta konsideronte Izraelin përgjegjës për çdo pasojë të vizitës së planifikuar të Ben-Gvir.
Vizita e ministrit Ben-Gvir u dënua gjerësisht nga Palestina, Turqia dhe SHBA si një “provokim i paprecedentë”.
PALESTINA
Palestina dënoi vizitën e ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke a cilësuar këtë si “provokim të paprecedentë”.
“Ndërhyrja e Ben-Gvir përfaqëson një provokim të paprecedentë, një kërcënim serioz për arenën e konfliktit dhe një përbuzje ndaj thirrjeve për të ndaluar vizitën”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme palestineze.
Ministria e quajti vizitën e ministrit të ekstremit të djathtë si “një legjitimim i inkursioneve të mëtejshme në Xhaminë Al-Aksa nga kolonët”.
Ministria mbajti përgjegjës kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “për këtë sulm të pacipë ndaj Xhamisë Al-Aksa”.
TURQIA
Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Türkiye-s dënoi “veprimet provokuese të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir kundër Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi të shqetësuar dhe dënojmë veprimin provokues të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir kundër Xhamisë Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite”, thuhet në një deklaratë të MPJ-së turke.
Ministri i ekstremit të djathtë hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa më herët gjatë ditës, një ditë pasi njoftoi se po e shtynte vizitën për shkak të paralajmërimeve për trazira.
Në deklaratë, Ankaraja i bën thirrje Izraelit të “veprojë me përgjegjësi për të parandaluar provokime të tilla që do të cenonin statusin dhe shenjtërinë e objekteve fetare në Kuds dhe do të shkaktonin përshkallëzim në rajon”.
SHBA
SHBA kritikoi vizitën e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i ekstremit të djathtë hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa më herët gjatë ditës, një ditë pasi njoftoi se po e shtynte vizitën për shkak të paralajmërimeve për trazira.
Ambasada e SHBA-së në Izrael tha se ambasadori Thomas Nides “e ka bërë shumë të qartë në diskutimet me qeverinë izraelite se status quo-ja duhet të ruhet në vendet e shenjta të Kudsit. Veprimet që e parandalojnë këtë, janë të papranueshme.”
Ben-Gvir ka pikëpamje të ekstremit të djathtë për palestinezët dhe ka bërë thirrje për zhvendosjen e tyre. Ai është bashkuar vazhdimisht me kolonët izraelitë në bastisjet që janë kryer në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Politikani i ekstremit të djathtë gjithashtu shkaktoi një valë përshkallëzimi në qytetin e pushtuar pas hapi një zyrë në lagjen Sheikh Jarrah.
Nëntorin e kaluar, Presidenti izraelit, Isaac Herzog, paralajmëroi në një video mesazh se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pikëpamjet ekstremiste të Ben-Gvir.
/Argumentum.al