Me gjithë tensionet e brendshme politike mes qeverisë, opozitës dhe presidentit, Gjermania përkrah qeverinë Rama dhe përpjekjet e saj për reforma.
Gjermania e mbështet rrugën e reformave të Shqipërisë dhe bën thirrje që tensionet e brendshme politike të mos e prishin rezultatin e deritanishëm të reformave sidomos në drejtësi. “Vendi juaj ka bërë përparime të mëdha në vitet e fundit dhe reforma të guximshme në fushën e drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sidomos reforma në drejtësi ishte një sforcim i madh dhe meriton njohje”, tha ministri gjerman i punëve të jashtëm, Heiko Maas, pas takimit të tij të parë me ministrin shqiptar në detyrë, Gent Cakaj.
Ai vuri në dukje se këto reforma tani nuk duhet të mbeten në hijen e tensioneve politike, por të vijojnë, sepse ato u shërbejnë qytetarëve. “Konfliktet duhet të zgjidhen në kuadër të institucioneve demokratike”, tha ministri Maas në adresë të opozitës. “Bojkoti sipas mendimit tonë, është rrugë e gabuar”.
Maas tha se “është mirë që po vihet re një gatishmëri për dialog tek të dyja palët” dhe shtoi: “Nëse të gjithë aktorët veprojnë me përgjegjësi atëherë demokracia shqiptare ka shansin të dalë më e fortë nga kjo krizë”, tha ai duke pasur parasysh konfliktin e brendshëm aktual në Shqipëri mes pozitës dhe opozitës. “Dhe për këtë ne i urojmë sukses qeverisë”, tha ministri.
Gjermania pro negociatave
“I dashur Gent! – marrëdhënie miqësore mes ministrit në detyrë Gent Cakaj dhe mikpritësit në Berlin, Heiko Maas.
Shefi i diplomacisë gjermane e përforcoi edhe njëherë pozitën e ministrisë së jashtme të Gjermanisë pro çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke argumentuar në adresë të skeptikëve dhe frenuesve se duhet mbajtur premtimi i dhënë një vit më parë, pasi të dy këto vende i kanë përmbushur kushtet. “Në se i kthejmë shpinën Ballkanit Perëndimor, këtë vakuum do ta mbushin fuqi të tjera”, tha Maas. Ai pranoi se çelja e negociatave diskutohet në mënyra të ndryshme në vendet e BE-së.
Ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj falenderoi Gjermaninë për mbështetjen dhe ritheksoi pozitën e qeverisë shqiptare për të mos ndryshuar datën e zgjedhjeve lokale. Cakaj tha se “axhenda progresive dhe përparimtare e Shqipërisë duhet të vazhdojë pa asnjë ndalesë dhe zgjedhjet për pushtetin vendor duhet të mbahen më 30 qershor. Ky është çelësi i përparimit të Shqipërisë në axhendën evropiane.“
Lobim i përforcuar
Johann David Wadehpul, nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU mendon se Shqipëria ende nuk është gati për çeljen e negociatave.
Kohët e fundit Shqipëria ka dërguar një sërë ministrash për të bërë lobim në Gjermani për çeljen e negociatave me BE-në. Javën e kaluar ishin ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, si dhe kryetari i grupit parlamentar të socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla. Ndërsa të enjten, përveç ministrit Cakaj, në Berlin ndodhej edhe ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila u takua me homologen e saj, Ursula von der Leyen.
Vendimin për çeljen e negociatave qeveria gjermane duhet ta kalojë nga parlamenti gjerman, Bundestagu. Ky pritet të merret në shtator me këtë çështje, megjithëse këshilli i ministrave më 26 qershor 2018 kishte marrë vendim se do ta shqyrtonte çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillin e BE-së, në 18 qershor 2019. Por deputetët demokristianë, sidomos nënkryetari i grupit parlamentar, Johann David Wadephul, janë të mendimit, se nuk mjafton afati deri në qershor. Wadephul ka edhe rezerva të tjera ndaj Shqipërisë për shkak të mosfunksionimit të organeve gjyqësore të larta dhe krizës aktuale në Shqipëri.
Maqedonia e Veriut para Shqipërisë
Zoran Zaev ishte të enjten në Berlin dhe pas takimit me kancelaren ishte optimist se Maqedonia e Veriut do t’i çelë negociatat brenda vitit.
Për Maqedoninë e Veriut parlamenti gjerman duket se ka tjetër mendim. Edhe deputetët e CDU/CSU-së, sipas qarqeve diplomatike dhe deputetëve në Bundestag, janë të mendimit se sidomos pas zgjidhjes së konflikteve me vendet fqinje, ajo e meriton çeljen e negociatave. Zyrtarisht kancelarja gjermane ende nuk e ka dhënë mendimin e saj. Javën e kaluar ajo raportoi në komisionin e Bashkimit Evropian se vendimi nuk mund të merret në qershor, por në shtator, për shkak të nevojës së harmonizimit të opinoneve brenda partisë së vet.
Një shtyrje, që Maqedonisë së Veriut nuk i pëlqen aspak, pasi nuk dëshiron të bëhet peng e Shqipërisë. Te enjten kancelarja gjermane priti në Berlin homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonis. Nikola Dimitrov. Biseda ishte konfidenciale, por pas takimit, Zaev ishte shprehur besimplotë se Maqedonia e Veriut do të hapte negociatat deri në fund të vitit.