Në kohën që jashtë sallës së Parlamentit opozita vijon protestën, brenda shumica dhe opozita e re po vijojnë normalisht seancën plenare sipas rendit të ditës.
Pas deputetit të opozitës Myslim Murrizi, fjalën e mori ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi sot shtyrjen e afatit të vettingut në polici, pasi deri tani ligji parashikon përfundimin brenda marsit të 2020. Një tjetër pikë që parashikohet në ndryshimin e ligjit lidhet me procesin. Lleshaj propozon që komisioni i jashtëm të bëjë vetëm fazën e parë, ndërsa më pas punonjësit e policisë ti kalojë në filtër SHCBA-ja (Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave).
“Takova ministrin holandez për sigurinë dhe Drejtësinë që vjen pas një vizite në Francë. Partnerët vijojnë që të kenë mbështetje për reformat, edhe në kushtet e një klime politike jo normale pas daljes së opozitës në rrugë, në vend të parlamentit. Duke u ndalur te vettingu ne polici. Është e vështirë që procesi të mbyllet në mars të vitit të ardhshëm prandaj kërkojmë disa ndërhyrje. Punonjësit e SHCBA-së të kalojnë vettingun në fazën e parë me qëllim që të shëndrrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej sikur e parashikon ligji organik i saj. Vlerësimi i fazës së parë do të kryhet nga një komision i jashtëm për të hapur dosjet e drejtuesve të lartë. Në fazë ne dytë dhe të tretë për punonjësit e policisë së shtetit vettingun ta bëjë SHCBA, jo struktura ad hoc. SHCBA-ja do të ketë bazën e të dhënave dhe kështu do të shkurtojë një hallkë. Procesi garanton siguri dhe thelbi mbetet i paprekur. Kriteret mbeten të njëjta“, deklaroi Lleshaj.