Konsulli i Nderit i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, Selim Hoxhaj, ka reaguar ndaj Deklaratës së Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
“Konsujt e Nderit nuk janë “targa” dhe me e pakta Ministri në detyrë Cakaj duhet të kërkojë falje publike” – thotë Hoxhaj.
Më poshtë reagimi i tij:
“Deklarata e para tre ditëve e Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, është e pa precedentë, anti-juridike, pa-etike, dhe jo-diplomatike. Zoti Cakaj me një të rënë të lapsit ka futur në një thes të gjithë Konsujt e Nderit të cilët janë zgjedhur dhe miratuar nga qeveritë e huaja, dhe punojnë për avancimin e marrëdhënieve respektive.
Shprehje të tilla, të bëra publike nga z.Cakaj, si “qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm” apo “duket se janë ndjerë tepër të fuqishëm”, duhet të konkretizohen se për kë e ka fjalën, sepse, këto etiketime nuk mund të jenë për të gjithë dhe përgjegjësia nuk mund të jete kolektive.
Sepse Konsujt e Nderit janë figura publike dhe përgjithësisht me reputacion konkret të cilët i propozohen shtetit shqiptar nga qeveritë respective të huaja; sepse ata pranohen nga autoritetet shqiptare pas verifikimeve nga institucionet zyrtare shqiptare, konform legjislacionit shqiptar; sepse ata punojnë për rritjen e marrëdhënieve kulturore, tregtare, turistike, etj. midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
Pra, nuk është thjeshtë problemi i targave “CD”, edhe pse përdorimi i tyre nuk është bërë në ilegalitet, por ato janë miratuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Me një fjalë, Konsujt e Nderit nuk janë “targa” dhe me e pakta Ministri në detyrë Cakaj duhet të kërkojë falje publike”./dita